Investimet e huaja direkte dhe remitancat pësuan përsëri rënie gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015, duke përvijuar një ecuri negative në gjysmën e dytë të vitit. Pas një ecurie pozitive në 6mujorin e parë, këta dy tregues dhanë sinjale të qarta dobësimi, duke ulur burimet hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte për tremujorin e katërt të vitit kishin vlerën e 169 milionë eurove, me një rënie prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sidoqoftë, për të gjithë vitin 2015, investimet e huaja arritën në 871 milionë euro, në rritje me 7.2% krahasuar me vitin 2014. Megjithëse investimet ngelen në rritje pozitive, rritja është dobësuar gradualisht gjatë vitit, po të kemi parasysh që për gjysmën e parë të vitit 2015 kishte qenë në nivelin 35%. Sipas Instat, në tre tremujorët e parë të vitit rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga investimet dhe ato të huaja në veçanti kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm. Rënie në tremujorin e katërt të vitit shfaqën edhe dërgesat e emigrantëve, që prekën vlerën e 154 milionë eurove, në rënie me 10% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2014. Për vitin 2015, remitancat prekën vlerën e 598 milionë eurove, në rritje vjetore modeste prej rreth 1%. Edhe në rastin e remitancave ritmi i rritjes është ndjeshëm më i ulët nga niveli prej 19% që u regjistrua në fund të 6mujorit të parë. Pas një rënieje të vazhdueshme deri në vitin 2013, remitancat i janë kthyer rritjes në dy vitet e fundit, çka mund të shpjegohet me një përmirësim të lehtë në ekonomitë e vendeve ku emigrantët shqiptarë janë më të përqendruar, por, ndoshta në një masë më të madhe me kthimin përfundimtar të shumë prej tyre në Shqipëri. Kjo lloj rritje me shumë të ngjarë ka për të qenë e shkurtër në kohë dhe zbehja gjatë gjysmës së 4/1/2016 RTV SCAN : Investimet në zbehje gjatë gjysmës së dytë të 2015 http://scantv.com/v/index.php/kryesore/18623.html 2/2 dytë të vitit 2015 mund të jetë një sinjal. Bilanci i llogarisë korrente, që mat diferencën mes flukseve hyrëse dhe dalëse të valutës, ngelet negativ, në vlerën e 1.15 miliardë eurove. Megjithatë, deficiti këtë vit paraqitet më i ulët me 10%, sidomos falë përmirësimit të ndjeshme të bilancit të të ardhurave nga shërbimet, kryesisht nga turizmi.