Shqipëria ka humbur katër vende në krahasim me një vit më parë sa i përket renditjes në Indeksin Botëror të Sipërmarrjes të hartuar nga Instituti për Sipërmarrjen dhe Zhvillimin (GEDI) me seli në Uashington. Për vitin 2017 vendi është renditur i 80-i (më 2016 mbajti vendin e 76). Shqipëria lë pas vende si Egjipti, që renditet në vendin e 81, Bullgarinë në vendin e 82, si edhe Armeninë, Iranin, Ganën. Ndërsa në vendin e fundit, në të 137-in u rendit Çadi.
Vetëm një vend sipër nesh gjendet Serbia (79). Fqinji, Maqedonia, renditet në vendin e 64-t, ndërsa Mali Zi në vendin e 61. Greqia në këtë renditje mban vendin e 49, kurse Italia renditet pak më lart, në vendin e 46-të.
Vendi i parë sa i përket Indeksit të Sipërmarrjes për vitin 2017 i takon SHBA-së, e cila ndiqet nga Zvicra, Kanadaja, Suedia dhe Danimarka që përbëjnë pesëshen më të mirë.
Raporti i GEDI-t nënvizon se sipërmarrja është një motor i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë. Pa të nuk do të kishte inovacion, produktiviteti do të rritej me ritme të ulëta dhe vendet e punës gjithashtu do të ishin të pakta.
Sipërmarrja ekziston në kontekstin e veçantive gjeografike, lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzierja e sjelljeve, burimeve dhe infrastrukturës, citon raporti, përbën atë që njihet si “ekosistemi”.
Indeksi Botëror i Sipërmarrjes mat çdo vit shëndetin e këtij ekosistemi në 137 vende. Krahason performancat e vendeve, si dhe ofron një panoramë sesi një vend performon në kontekstin lokal dhe në atë ndërkombëtar. GEDI mbledh të dhëna mbi qëndrimet e sipërmarrjes, aftësitë dhe aspiratat e popullsisë lokale dhe pastaj mat peshën që ato kanë në mjedisin e “infrastrukturës” sociale dhe ekonomike. Ky proces krijon 14 “shtyllat” mbi të cilat matet shëndeti rajonal i ekosistemit.