Çmimet e ulëta të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, janë duke i dhënë efektet negative në të ardhurat buxhetore edhe këtë vit. Fenomeni është më i dukshëm në arkëtimet nga renta minerare, të cilat për tremujorin e parë të këtij viti ranë me 14.3% krahasuar me janar-mars 2015. Të ardhurat neto nga renta ishin 536 milionë lekë nga 626 milionë lekë në tremujorin e parë 2015. Krahasuar me faktin e së njëjtës periudhë të vitit 2014 ata ishin gjithashtu rreth 60% më të ulta. Burimet nga tregu pohojnë se, çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve janë, duke e goditur industrinë vendase në dy kahe. Përveç çmimeve në kosto, tregu ndërkombëtar është i ngopur me lëndë të para të cilësisë së lartë. Ndaj nafta dhe mineralet shqiptare aktualisht nuk janë të shitshme edhe me çmimet e ulëta. Qindra tonë naftë dhe krom tani janë në inventarët e kompanive shqiptare në pritje të ndryshimit të situatës. Çdo person fizik ose juridik, i cili është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale me ministrin përgjegjës për ekonominë, duhet të paguajë qira për burimet natyrore të nxjerra nga, mbi dhe nën tokën e Republikës së Shqipërisë. Renta minerare llogaritet si një detyrim mujor i tatimpaguesit, në kohën kur ai shet produkte minerale. Në rastin e eksportit të produkteve minerale, qiraja paguhet në kohën kur bëhet deklarata e eksportit. 25 për qind e të ardhurave nga renta minerare i kalon pushtetit lokal, ku kryhet aktiviteti.