Replika e mjekut Neli Demi: Problemet e sistemit të shëndetësisë rrjedhin nga politikat e gabuara

Nga Neli Demi

Së fundmi, hasa një perspektivë interesante nga z. Ylli Manjani mbi përfshirjen e mjekëve në politikë. E kuptoj shqetësimin dhe e shoh që ndan një mendim që qarkullon te shumë qytetarë në rrjetet sociale.

Edhe unë besoj se mjekët janë të pazëvendësueshëm, dhe çdo largim nga ky profesion ndihet. Por a është vërtet një humbje kur një mjek vendos të hyjë në politikë? Apo është, në fakt, një përpjekje për të shëruar një sistem që shpesh i lë qytetarët pa kujdesin që meritojnë?

Unë nuk po largohem nga mjekësia—po e çoj atë në një fushë ku mund të ndikojë në jetën e miliona njerëzve, jo vetëm të pacientëve që trajtoj. Si mjek, kam parë se si politikat e gabuara përkthehen në spitale pa mjete, pacientë që vonojnë trajtimin sepse nuk e përballojnë, mjekë që largohen nga vendi sepse ndihen të braktisur. Këto nuk janë thjesht probleme mjekësore, janë probleme politike.

Thua se humbim një mjek për të fituar një deputet. Por çfarë ndodh kur politika mbetet pa mjekë, pa mësues, pa njerëz që e kanë prekur realitetin e shoqërisë? Nëse politika mbetet vetëm në duart e atyre që nuk e kanë ndjerë kurrë peshën e një vendimi mbi jetën e dikujt tjetër, atëherë humbja nuk është vetëm një mjek. Është një shoqëri e tërë.

Pra, pyetja nuk është “Pse një mjek hyn në politikë?”. Pyetja është: A mund ta përballojmë më gjatë një politikë pa mjekë?

Artikulli paraprakRindërtimi i stacionit hekurudhor në Novi Sad pas tragjedisë, Prokuroria e BE-së kryen hetime për mundësinë e keqpërdorimit të fondeve
Artikulli tjetërFundi tragjik i Gene Hackman, zbulohet testamenti i yllit të Hollywood! Kush e përfiton pasurinë prej 80 milionë dollarëshe të fituesit të Oscar