Nga Preç Zogaj
“Republika e prokurorëve” nuk ka ekzistuar e nuk mund të ekzistojë në një vend demokratik. Nuk e lejon arkitektura e ndërtimit të pushteteve të ndara e të pavarura në ndërveprim me njëri-tjetrin. Atë e kanë sajuar si shprehje poshtëruese politikanët e korruptuar. Me qëllimin e qartë për të ndaluar hetimin e bëmave të tyre nga institucioni ligjor i akuzës.
Shprehjen në fjalë e kemi dëgjuar shpesh sidomos në Italinë e viteve nëntëdhjetë kur shpërthimi i hetimeve në pallatet e politikës nga disa prokurorë të guximshëm me të famshmin Antonio Di Pjetro në krye, çoi në shpërbërjen e dy partive kryesore të sistemit gjysëm shekullor. Që u zëvendësuan menjëherë nga parti të tjera, ku spikati “Forca Italia” e manjatit Silvio Berluskoni. Vetë Berluskoni, në përballjet e tij të vazhdueshme me hetime lloj-lloj, herë nga pozitat e kryeministrit, herë të opozitarit, e ka patur në majë të gjuhës përdorimin e shprehjes “La repubblica dei procuratori”(Republika e prokurorëve).
Bartja në shqip e kësaj metafore nga kryeministri Edi Rama në dhjetor të vitit të shkuar, gjatë një flalimi partiak, kur theksoi me ton dhe më një kuptim rivendikues “kjo është Republika e Shqipërisë dhe jo republika e Prokurorëve” nxori në pah si asnjëherë më parë frustrimin e tij nga hetimet dhe akuzat që ka filluar të ngrejë SPAK kundër të korruptuarve në piramidën e ekzekutivit.
Bashkë me frustrimin edhe vendosjen publike të kryeministrit në skajin tjetër të litarit në luftën që kishte nisur më parë pa rënë në sy, me metoda më përfide, për dobësimin e SPAK-ut. Që dukej qartë se nuk i kishte dhënë rezultat. Përndyshe nuk do të dilte hapur.
Ta themi qysh në krye se alarmi kundër “Republikës së prokurorëve” në Shqipëri është i rremë, pa asnjë bazë, pa asnjë argument apo provë, me një prapavijë të qartë për të kompeksuar e prapsuar SPAK-un.
SPAK thjesht ka nisur të bëjë dhe po bën detyrën për të cilën është ngritur. Asgjë tjetër. Është një histori suksesi pa precedent, një histori suksesi në proces, që tregon shenja të kuptueshme brishtësie, por edhe “muskulaturën” e kalitjes së përditshme në betëjë me të paprekshmit e deridjeshëm. Njerëzit realisht po përceptojnë se ky është një fillim vërtetë i ri për demokracinë. Prandaj shumica e tyre dërrmuese mbështesin SPAK dhe janë syçelët ndaj stërkëmbshave, kurtheve dhe skemave që s’rresht së ngrituri kasta e të korruptuarve për ta shkatërruar këtë institucion.
Shumë njerëz, ndërsa nuk habiten që sulmet dhe anatemat ndaj SPAK kanë ardhur e vijnë pareshtur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, nuk kanë pritur që kryeministri Rama t’u bashkohet me mënyrën e tij luftës dhe përpjekjeve për kastrimin e drejtësisë së re.
Pse?
Para se të themi një mendim tonin për këtë, ia vlen të shprehim dy konsiderata të një rrrafshi më të gjerë:
E para, drejtësia e tepron qoftë në tendeciozitet, qoftë në pasivitet vetëm kur është e kapur politikisht.
E dyta, problemi i drejtësisë në Shqipëri nuk kanë qenë e nuk është zelli jakobin, teprimi me të drejtën. E kundërta është e vërtetë: problemi i drejtësisë ka qenë nënshtrimi dhe pafuqia e saj për të çuar ligjin në sferat e larta.
Me drejtësinë e re kjo histori e trishtë po ndryshon. Por SPAK, si institucioni më i ekspozuar i saj, nuk është fare-fare në kushtet e teprimit. Përkundrazi. Duke ia njohur meritat, prej tij pritet më shumë. Veç kësaj duhet ditur se akuza nuk bën drejtësi. Drejtësinë e bën gjykata.
Kthehemi tani te pyetja: Çfarë e ka shqetësuar kryeministrin Rama që të nxitojë të japë alarmin kundër “Republikës së prokurorëve”? A ka ndonjë shenjë se prokurorët e SPAK po organizohen për të hyrë si institucion në politikë? Absolutisht asnjë të tillë. As ka, as mund të ketë. Është qesharake ta mendosh. Atributet e politikës do ti kenë gjithmonë partitë, zgjedhjet, vota e lirë.
Një shpjegim për alarmin në fjalë është ekspozimi gjithnjë e më i madh i korrupsionit kapilar në qeverisjen e tij. Aferat dhe skandalet qe s’rreshtin se plasuri e kanë grisur keq fasadën e qeverisjes propagandistike. S’ka shumë rëndësi, ka apo nuk ka përgjegjesi të drejtpërdrejtë penale vetë Rama në këto skandale. Edhe me aq sa ka dalë në dritë deri tani nga hetimet e kryera, kryeministri e ka konsumuar përgjegjësinë politike. Kuptohet se guri i përgjegjesisë politike do t’i zmadhohet e rëndojë shumë më shumë nga thellimi i hetimeve në proces apo hapja e hetimeve të reja. Sa më shumë shtohen rastet, aq më pak i bën punë zotit Rama teoria e drurëve të shtrembër apo mollëve të kalbura. Duke i ardhur rrotull dhe duke iu shpifur SPAK-ut për një gjë që nuk e ka, ai minimalisht kërkon të vendosë një lloj détante përgjatë vitit elektoral. Por kjo s’mund të ndodhë. SPAK do të bënte vetvrasje nesë do t’’ja nënshtronte hetimin e aferave korruptive agjendës së politikës dhe poltikanëve.
Një shpjegim tjetër mund të jetë frika se hetimet mund të trokasin në zyrën e tij. Sido që të jetë, që nga dita kur vuri alarmin e rremë kundër “Republikës së Prokurorëve”, Rama s’ka rreshtur së kërkuari rrugë dhe mënyra për t’i përcjellë SPAK-ut figurën e gogolit të vjetër të politikës, të cilin prokurorët dhe Dumani në krye të tyre duhet ta kenë frikë. Pavarësisht mbështetjes së madhe nga SHBA, disa Parti si PD dhe shumica e qytetarëve. “Ndërkombëtarët venë e vijnë, ne mbetemi”, është kërcënimi i rinovuar që kërkon të përcjellë kasta pluarale solidiare në përbetimin e vet për të ruajtur gjendjen e vjetër të pandëshkushmërisë në majat e pushtetit. Këtu edhe nismat evazive, por më të qarta se të qartat, siç do të thoshte Niçe, në kaudrin e klimës së re të konsensusit me Rithemelimin.