“Republikën e prokurorëve” e solli politika shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Vajtja përpara SPAK e njerëzve me pushtet ka shpërthyer një debat të madh në opinionin publik nëse në Shqipëri po instalohet një republikë e prokurorëve apo jo. Të enjten të gjitha emisionet kryesore politike kishin ketë temë debati. Fakti është se tashmë u bë një kohë e gjatë që ndikmet në politikën shqiptare vijnë si pasojë e hetimeve të SPAK. Nga njëra anë opozita e cila vazhdon me të njëjtat probleme, e ndarë dhe në krizë organizimi. Gjithashtu në një betejë të stërgjatë dhe absurde për përfaqësimin ligjor dhe zyrtar të Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër qeveria dhe pushteti i Edi Ramës tashmë i konsoliduar duket fare i pashqetësuar për momentin. Edhe pse në politikë të papriturat janë gjithmonë te dera. Problemi me këtë pushtet dhe me këtë qeveri është fakti se nuk po qeveriset më. Qeveria e Edi Ramës ka kohë që nuk bën asnjë reformë thelbësore. E vetmja gjë që bën Edi Rama është menaxhimi i pushtetit. Ka vite që tashmë Rama nuk është më reformator, ashtu sikurse etiketohej dikur, por thjesht një administrator shumë i mirë pushteti.

Në këtë kuptim, duke parë këtë panoramë politike të ngrirë, të vetmet lajme politike që priten janë ato që vijnë nga drejtësia. Kryesisht nga hetimet e SPAK. Duket sikur e vetmja fuqi që mund të ndikojë situatën politike aktuale është vetëm pushteti i drejtësisë. Kjo ndoshta nuk është aspak normale në një demokraci, por është një fenomen i pashmangshëm për kontekstin social dhe politik shqiptar. Këtë fenomen shumëkush e quan si instalim i republikës së prokurorëve, ndoshta me të drejtë. Madje këtë frazë e ka cituar dhe vetë Edi Rama, duke e ndjerë dhe kuptuar se tashmë drejtësia me hetimet e saj mund të ndikojnë edhe politikën, edhe vetë qeverinë e tij.

Përtej debateve nëse vërtet jemi në një republikë të prokurorëve apo ajo, fakti është që shumica e shqiptarëve i kanë sytë vetëm nga SPAK. Nga të gjitha sondazhet, del që SPAK gëzon besueshmërinë më të madhe të publikut, në raport me institucionet e tjera. Kjo është e kuptueshme për shoqërinë tonë të uritur për drejtësinë e munguar në 33 vite me radhë.

Nëse vërtet sot kemi një mbi-pushtet të drejtësisë, kjo vjen si pasojë e mbi-pushtetit 33 vjeçar të politikës. Ekstremet sjellin gjithmonë ekstreme. Për 33 vite me radhë në Shqipëri ka folur vetëm politika. Drejtësia ka qenë gjithmonë nën sulmin konstant të saj. Askush nuk e vë në dyshim se drejtësia në Shqipëri ka qenë e kapur nga politika. Sot ky raport duket i ndryshuar. Madje përmbysur sipas shumëkujt. Pasi sot, është drejtësia ajo që po ndikon te politika nëpërmjet hetimeve të saj në nivelet e larta të politikës, deri në nivel ish kryeministri.

Kjo panoramë e përmbysur, dhe kjo situatë ku kemi mbërritur sot, ku politika nuk prodhon më asnjë lajm dhe të gjitha lajmet politike vijnë nga drejtësia, tregon se herët apo vonë kjo do të ndodhte edhe në Shqipëri. Në të gjitha vendet ku ka patur një mbi-pushtet të politikës, dhe ku klasa politike nuk ndryshon për dekada me radhë, ka qenë drejtësia ajo që ka marrë në dorë rolin e ndryshimit.

Normale do të ishte që klasa politike të ndryshojë nëpërmjet mekanizmave demokratikë. Por kur kjo nuk ndodh, koha solli një instrument tjetër në dorë të shoqërisë për të bërë këtë ndryshim.

Edhe në Shqipëri, me të gjitha gjasat këtë ndryshim do ta bëjë drejtësia. Këtë gjë e kërkon koha, konteksti dhe momenti. Ndoshta e kërkojnë dhe gjeopolitika dhe aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Prandaj nëse sot vërtet na duket çudi se përse drejtësia po e kryen këtë rol, apo se përse jemi në ‘’republikën e prokurorëve’’, përgjegjëse për këtë anomali është vetëm politika 33-vjeçare e Shqipërisë, e cila me insistimin e saj për vazhduar përjetësisht në pushtet, me dorën e saj ka sjellë mbi-pushtetin e drejtësisë./ Liberale.al

Exit mobile version