Reuters: Gjenerali i lartë amerikan do të udhëheqë forcat e NATO-s në Evropë, Donald Trump i komunikon vendimin Mark Rutte

Presidenti Donald Trump ka vendosur të ruajë rolin tradicional të një gjenerali amerikan në krye të NATO-s, të paktën për momentin, sipas tre zyrtarëve amerikanë, një zyrtari perëndimor dhe një burimi nga NATO, ndonëse Uashingtoni vijon të ushtrojë presion ndaj aleatëve evropianë që të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, raporton Reuters.

 

Sipas zyrtarit perëndimor, Trump ia ka komunikuar vendimin në mënyrë private Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Pentagoni, Shtëpia e Bardhë dhe NATO nuk kanë reaguar ende ndaj kërkesave për koment.

Vendimi pritet të sjellë një lehtësim për aleatët evropianë dhe për disa republikanë në SHBA, të cilët kanë qenë të shqetësuar se retorika e ashpër ndaj Evropës dhe skepticizmi i Trump mbi luftën në Ukrainë mund të çonin në një tërheqje të shpejtë të lidershipit ushtarak amerikan.

Megjithatë, zyrtarët theksojnë se paralajmërimet e administratës Trump për nevojën për t’u fokusuar më shumë në Azi dhe sigurinë e brendshme janë serioze. Edhe pse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, janë zhvilluar diskutime për mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Evropë, ku aktualisht ndodhen rreth 80,000 ushtarë amerikanë.

Sipas burimeve amerikane, kandidati i radhës i pritshëm për postet e Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SACEUR) dhe të Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM) është gjenerali i Forcave Ajrore, Alexus Grynkewich.

Posti i SACEUR, që mbikëqyr të gjitha operacionet e NATO-s në Evropë, është mbajtur gjithmonë nga një gjeneral amerikan që nga krijimi i tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur në vitin 1951, U.S. Army General Dwight D. Eisenhower u bë komandanti i parë i NATO-s.

Exit mobile version