Franca dhe Holanda do pengojnë çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Agjencia e lajmeve Reuters zbulon një letër të majit të 2018-s nisur në zyrat e BE-së e cila unifikon qëndrimin e Holandës dhe Francës në lidhje me mosçeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Sipas burimeve të kësaj agjencie, presidenti francez Macron thotë se çeljen e negociatave me këta 2 shtete e pengon krimi i organizuar. Sipas Francës dhe Holandës, të cilat pritet ti thonë “Jo” Shqipërisë në samitin e ministrave të jashtëm të BE-së së 28-29 qershorit, Merkel e kërkon zgjerimin për arsye gjeopolitike, si një mbështetje për të penguar zgjerimin e ndikimit rus dhe kinez në rajon.
Parlamenti i Holandës ka marrë një vendim të rëndësishëm pasditen e së enjtes. Me një shumicë dërrmuese votash ky parlament ka vendosur të mos japë rekomandimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Lapsi.al mëson se të gjitha partitë parlamentare nga e majta në të djathtë janë shprehur në të njëjtën linjë se “rezultatet e Shqipërisë janë të pamjaftueshme për të ndërmarrë një hap të tillë”. Të njëjtat burime thanë se kanë qenë rreth 125 vota kundër Shqipërisë dhe vetëm 20 pro hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Zyrtarë të lartë holandezë ishin shprehur edhe më herët kundër propozimit të bërë nga Komisioni Europian. Në të njëjtën linjë duket edhe Franca ndërsa Gjermania deti tani shkon në favor të hapjes së negociatave me kushte.