Heqja e vizave nuk ka qenë thjeshtë një procedurë e Departamentit të Shtetit për të “luftuar korrupsionin”, siç u mundua të justifikohej Ambasada amerikane, por një shërbim i hapur që i bëhet pushtetit të Edi Ramës, dhe turravrapit të tij për të shtënë në dorë drejtësinë. Portali lapsi.al ka botuar dje formularin që kanë dorëzuar gjykatësit dhe prokurorët, për procesin e vettingut, ku një ndër pikat e saj kërkohet qartësisht që të përgjigjen nëse u është refuzuar hyrja, apo viza në Ambasadën e SHBA/BE. Portali në analizën e tij lë të kuptohet se, vizat janë haqur për arsye thellësisht politike, të individëve të veçantë në gjyqësor dhe kanë të bëjnë ose me mospëlqimin e figurës së tyre nga ana e Edi Ramës, ose se kanë mbajtur qëndrime kundër Reformës në Drejtësi. “Heqja e vizave për 27 prokurorë dhe gjyqtarë shqiptarë nga ana Ambasadës amerikane, nuk është as një nismë rutinë e “Ministrisë së Brendshme” të SHBA dhe as një procedurë konsullore për shkeljen e vizës ashtu si po mundohet të shitet nga selia e rrugës së “Elbasanit” dhe disa media që mbrojnë këtë version. Eshtë e qartë që ajo është një masë politike. Pra, thënë thjeshtë Adriatik Llallës nuk iu hoq viza se bashkëshortja e tij shkoi të lindte fëmijën në SHBA, duke shkelur vizën zyrtare, por për qëndrimet dhe idetë e tij pro apo kundër Reformës në Drejtësi. Kështu është vepruar edhe me 26 njerëzit e tjerë të drejtësisë, të cilët janë “dënuar” kolektivisht me anulimin e vizave. Këtë version e dëshmon edhe fakti që ky aksion u ndërrmor fiks, kur pritet të fillojë procesi i vetingut. Por përpos këtij hamendësimi logjik, Lapsi.al ka zbuluar edhe arsyen e vërtetë të këtij dënimi kolektiv. Ajo gjendet tek një nga pikat e Ligjit të Vetingut. Në pikën “G” të formularit aplikuesve u kërkohet nëse u është mohuar viza për në SHBA apo BE gjatë 10 viteve të fundit. Pra, siç shihet nisma për të ndërhyrë me anulim vizash është një përpjekje e pastër për të ndikuar në mënyrë okulte dhe ekstra institucionale në procesin që sapo ka filluar. Natyrisht shumë nga njerëzit e drejtësisë që kanë aplikuar për të qenë përsëri në sistemin e drejtësisë mund të mos e meritojnë ripërtëritjen e këtyre posteve, por eliminimi i tyre me rrugë dhe mjete të tilla vetëm sa e damkos procesin. Ai e bën atë të pabesueshëm dhe pre preferencash individuale”, shkruan portali Lapsi.al. Lajmi për anulimin e vizave të disa prokurorëve dhe gjyqtarëve doli menjëherë pas fillimit të Ligjit të Vettingut të famshëm. Duhet sqaruar që në krye të herës se me këtë që ka bërë Ambasada amerikane gjyqtarët dhe prokurorët dhe sikur mos rezultojë asgjë nga hetimi ose vetting, sërish ata mund të humbasin pozicionet e tyre me arsyetimin se, “u është refuzuar/revokuar viza nga Ambasada amerikane”, një shërbim i cili bëhet ditën për diell dhe në mënyrë abuzive. Pra, është fare e qartë se ata gjyqtarë dhe prokurorë të asaj liste, nuk janë gjë tjetër vetëm se individë, të cilët nuk kanë marrë pëlqimin e Edi Ramës për të vazhduar në radhët e gjyqësorit.
A.Maho