Revolta/ Banorët bllokojnë rrugën te Unaza e Re, mesazh Veliajt: Edhe 10 vite këtu do të protestojmë

Banorët e zonës së Astirit, tashmë prej 26 ditësh po protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre, të cilat do të shkatërrohen në kuadër të ndërtimit të projektit për Unazën e Re.
Një nga banorët shprehet se protesta do të vijojë deri sa të dëmshpërblehen 100% në vlerën e tregut. “Protestat do të vazhdojnë. Falenderojmë të gjithë qytetarët për mbështetjen masive. Kjo është dita e 26-të e protestave. Fakte të reja ka që projekti është korruptiv. Mos të vijë t’i prishë ato shtëpi në mes të dimrit. 15 banesat sociale nuk mjaftojnë për banorët në Unazën e Re. Nuk kërkojmë lëmoshë kërkojmë të drejtën tonë”, u shpreh ai.
Një protestues tha se ka votur gjithmonë për PS-në, por tani nuk do të votojë më. ‘Erion nuk jam unë frikacak, nuk jam burracak. Kam 30 vite që jetoj këtu. Ne e kemi bërë Unazën e re dhe i kemi dhënë emrin. Ai më thotë mua të të çoj me qira në Shkozë. Kë të çojë ai atje në Shkozë, se nuk dua të prish gojën.
Unë jam i majtë dhe ia kam dhënë votën PS-së gjithmonë, por nuk votojmë më. Kemi 1 muaj këtu, e jo një muaj, por 10 vite ne këtu do të jemi.
Kam punuar 5 vite në emigracion dhe nuk i investova lekët atje, por i investova në Shqipëri. Askush nuk ka zënë tokë këtu, të gjithë e kemi blerë tokën këtu’, tha banori i Unazë së re.

Një nga familjarët e Kujtim Yllit, njërit prej banorëve të Astirit të arrestuar nga policia, u shpreh se ato nuk e dinë akuzën.
“Akuzën nuk e di, sepse nuk e morrëm vesh përgjigjen. Por këtë e dinë ato që marrin urdhra nga lart. Gjë të gabuar nuk ka bërë sepse ka protestuer për shtëpinë e tij”,u shpreh një nga familjarët e Kujtim Yllit i cili është arrestuar sot nga policia.
Të pranishëm në protestë për të mbështetur banorët janë dhe deputetët e opozitës Endrit Braimllari, Silva Caka dhe Klevis Balliu.
Ndërkohë bëhet e ditur se në zonë janë të pranishëm efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe njësisë “Shqiponja”.
Këto dy njësi të policisë po bëjnë patrullime në zonë, për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm.
Ndërkohë kujtojmë se një natë më parë, banorët hoqën blloqet e betonit të vendosura nga kompania që do të zbarojë projektin, si dhe shemben murin rrethues tek rrethrrotullimi para atij të sheshit “Shqiponja”, ku kompania ka filluar punimet.

auto Screenshot 31543509345

Exit mobile version