Revolta, banorët e Fierit në mosbindje civile

Banorët e Mbrostarit vijojnë betejën për të mos lejuar ndërtimin e impiantit të plehrave në fshatin e tyre. Revolta kundër ndërtimit të fabrikës së vdekjes në Mbrostar të Fierit ka përfshirë të madh dhe të vogël! Qindra fëmijë kanë dalë dje në shesh përkrah prindërve të tyre duke sfiduar terrorin e forcave policore në mbrojtje të jetës. “Lironi prindërit tanë”, “Jo plehrave – Po Jetës”, ishin disa nga parullat që protestuesit mbanin në duar.
Disa fëmijë u kanë kërkuar forcave policore që të lirojnë prindërit e tyre sepse janë arrestuar pa asnjë shkak, vetëm pse kanë dalë për të protestuar kundër plehrave. “Lironi prindërit tanë, ata nuk kanë bërë asnjë faj vetëm se kanë dalë këtu në shesh si gjithë banorët e tjetër për të protestuar kundër plehrave, në mbrojtje të jetës tonë”, janë shprehur disa fëmijë.
Protestuesit bllokuan urën kryesore të Fierit duke mos lejuar asnjë makinë të lëvizte drejt Tiranës dhe anasjelltas. Nga bllokimi i aksit nacional Fier-Lushnjë vargu i automjeteve ka qenë i gjatë. Forca të shumta policie kanë rrethuar protestuesit, por pa ndërhyrë si herët e tjera. Banorët kërkuan tërheqjen e Bashkisë së Fierit nga vendimi për ndërtimin e impiantit të mbetjeve në këtë zonë.
Meqenëse Bashkia ende nuk u ka dhënë një përgjigje lidhur me kërkesat kundër impiantit të mbetjeve në zonën e tyre, banorët thonë nuk kanë ndërmend të ndalin protestat, derisa të marrin një zgjidhje. Ashtu si dhe në protestën e zhvilluar ditën e dielë, ata kanë përdorur goma për të bllokuar rrugën. Banorët kërkojnë gjithashtu lirimin e Zylyftar Delibashit, banor ky që është arrestuar për tubim të paligjshëm. Protesta kundër impiantit të mbetjeve në Mbrostar ka shkaktuar edhe arrestimin e disa banorëve të zonës dhe procedimin e disa të tjerëve për tubim të paligjshëm. Kjo solli zemërimin e protestuesve që prej një jave vijojnë të bllokojnë rrugën nacionale Fier-Lushnjë.

Policia arrestime masive në mesnatë

Terrori policor është ashpërsuar së tepërmi ndaj banorëve të Mbrostarit. Dhjetëra banorë janë arrestuar nga policia në mes të natës në banesat e tyre pse dalin në protestë. Forcat e policisë shkojnë në mes të natës pa asnjë mandat nga gjykata dhe marrin banorët me dhunë dhe i dërgojnë në komisariat. Kryesisht arrestohen ata banorë që kanë qenë më aktivë në protestat e këtyre ditëve. Pasi fotografohen nga policët civilë, policia shkon në banesat e tyre dhe i arreston.
Burime nga Komisariati i Fierit bëjnë të ditur se ndaj protestuesve të arrestuar ushtrohet dhunë dhe presion që të mos dalin në protestë. Ata janë kërcënuar me jetë nëse do të vijojnë të dalin në protesta. Po ashtu, mjaft familjarë janë paralajmëruar se do të pushohen nga puna nëse do të dalin në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e impiantit të plehrave. Kërcënime me pushim nga puna janë bërë edhe ndaj mësuesve që lejojnë familjarët të dalin në protestë. Megjithë terrorin shtetëror, banorët e Mbrostarit janë shprehur se nuk do të tërhiqen nga protesta e tyre derisa të anulohet vendimi i ndërtimit të impiantit të mbetjeve.

Banorët: Nuk kemi besim as te Prefekti

Pas protestave në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, banorët janë takuar dje me prefektin Xhevit Bushaj, por kanë dalë nga zyra e tij pa shumë shpresë. Sipas banorëve, prefekti iu ka premtuar se projekti nuk do të miratohet dhe se do ta kthente vendimin në këshill, por fjalët e tij nuk i kanë bindur banorët, të cilët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat.
“Nuk kemi besim se prefekti do t’i mbajë premtimet. Nuk pranoi t’i bënte publike në media”, u shpreh një nga protestuesit që kishte qenë në takim me prefektin. Banorët kanë javë që protestojnë për këtë shqetësim. Ata kanë bllokuar disa herë rrugët, si dhe kanë kërkuar zgjidhje nga institucionet.
Banorët pohojnë se nuk do të tërhiqen nga protestat nëse nuk tërhiqet projekti i fabrikës së plehrave. “Nuk i kemi besën për një arsye. Zylyftarin një nga grevistët këtu e kemi brenda”, u shpreh një qytetar tjetër. “Prefekti na premtoi që ky impiant nuk do të ndërtohej në Mbrostar, por edhe ky na preu në besë”, tha një tjetër.
Para katër ditësh banorët e Mbrostarit protestuan edhe para Bashkisë së Fierit. Një përfaqësi protestuesish janë futur në zyrën e Subashit, por në një kohë kur ata prisnin të gjenin një gjuhë të përbashkët me kryetarin e Bashkisë së Fierit, janë revoltuar në zyrën e të zgjedhurit të tyre. Subashi u është përgjigjur me arrogancë interesit të banorëve për anulimin e vendimit për ndërtimin e impiantit të mbetjeve në këtë zonë. Ai u ka komunikuar protestuesve se, projekti për ndërtimin e impiantit është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak dhe nuk anulohet.
Një muaj më parë, në protesta u përfshinë edhe banorët e Njësisë Administrative Portëz, duke detyruar Bashkinë të tërhiqet nga vendimi i parë për ndërtimin e impiantit në Portëz. Protesta e banorëve të Mbrostarit hyri në ditën e katërt.

PD Fier, thirrje policisë të lirojë protestuesit paqësorë

Partia Demokratike, Dega Fier ka reaguar ndaj policisë për arrestimet e protestuesve paqësorë. Në një deklaratë për mediat, Dega e PD Fier shprehet se, denoncon fort dhe u bën thirrje forcave të rendit të lenë të lirë banorët e Mbrostarit që kanë ndaluar në orët e vona të ditës së dielë. “Ata janë në të drejtën e tyre për të mbrojtur jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ne konstatojmë se në ndalimet e bëra janë vetëm anëtarë, simpatizantë dhe drejtues të strukturave të PD Dega Fier, Njësia Q Mbrostar, megjithëse në protestë marrin pjesë banorë që janë anëtarë dhe drejtues të strukturave dhe të forcave të tjera politike. Pse kjo sjellje e padenjë për një shtet ligjor? Pse ky selektim i banorëve nga ana e policisë? Edhe një herë ju bëjmë thirrje, mos bëni gjueti shtrigash, mos bëni diferencime, mos u vini në shërbim të interesave të ngushta të subjekteve politike në pushtet”, thuhet në deklaratën për shtyp. Dega e PD Fier bën të ditur se është në mbështetje të banorëve të Mbrostarit për protestën e drejtë që po zhvillojnë në mbrojtje të jetës së tyre.
Impianti i mbetjeve në Fier është shndërruar në betejë mes banorëve të Mbrostarit dhe Bashkisë së këtij qyteti. Një muaj më parë ishin banorët e fshatrave Plyk, Kraps dhe Portëz ata që kundërshtuan me forcë ngritjen e impiantit nga ana e Bashkisë së Fierit. Pas anulimit për ngritjen e tij në Portëz, një tjetër vendim i Këshillit Bashkiak që kaloi me votat e mazhorancës i hapi rrugën ndërtimit të këtij impianti në zonën e Mbrostarit.

R.POLISI

Artikulli paraprakVendi nën terror, vrasja në Fier e paralajmëruar
Artikulli tjetërFaqja e pare