Protesta e aktivistëve të lëvizjes të Aleancës Kundër Importit të Plehrave, (AKIP) do të fillojë që më datë 23 nëntor në orën 23:00. Një prej aktivistëve të kësaj lëvizjeje, Aulon Kalaja tha për “RD” se, një grup prej tyre do e gdhijnë natën përpara Parlamentit, me batanije dhe çadra për të kulmuar më datë 24 nëntor, kur do bëhet dhe rrethimi total i Kuvendit”. Asnjë prej deputetëve nuk do dalë nga salla e Kuvendit në rast se kalon ligji i pleharave të enjten. Nuk do ta lejojmë.
Megjithëse deri më tani kemi garantuar shumicën e votave në Parlament dhe nga parti që janë në koalicion me PS-në, kemi marrë garancinë që ligji nuk do të votohet, sërish ne do jemi aty”, tha Kalaja. Më tej, AKIP shton se për çdo rast, pra në rast se ligji kalon, atëherë dhe kjo lëvizje do precipitojë akoma më shumë. “Në rast se deri më tani, lëvizja jonë ka qenë parimore, po u kalua ligji atëherë do kthehet në personale. Të gjithë deputetët që vetë u shkruam emrin nëpër kazanët e plehrave do ua çojmë kazanët tashmë në shtëpitë e tyre, deri në mosbindje civile. Mos harrojnë se, revolta po merr përmasa të tjera, dje ju hodh salcë në kokë Nikollës, dhe sot u sulmua Beqja me vezë. Ata që marrin vendime për jetët tona bëjnë mirë t’i venë gishtin kokës”, thotë Kalaja.
Vetëm në Itali janë 500 mijë ton plehra që refuzoi Maroku, të gatshme për t’u sjellë në Shqipëri. Miliona ton të tjera presin radhën në shtete të tjera të Europës, për t’i sjellë brigjeve të Adriatikut. Një masë kancerogjene tepër e madhe rrezikon vendin e shqipeve, nga një skenar orguzi me interesa të pastra mafioze, ku përfitojnë një grusht i enturazhit politik të udhëhequr nga kreu i karvanit rilindas Edi Rama. Për interesa të enturazhit të tij politik, rrezikohet që të gjithë ne dhe brezat e ardhshëm të jetojnë në një kazan ricklimi. i cili ndot ajrin, ujin dhe tokën. Rilindja, e ardhur në pushtet me gënjeshtrat e vitit 2013 është e vendosur ta kalojë. Por në llogaritë e saj nuk ka përfshirë qëndresën e popullit. Ajo çka po ndodh në Mbrostar ku banorët e atjeshëm kanë dalë në mbrojtje të jetës së fëmijëve të tyre, pritet të përsëritet më datë 24 nëntor përpara Parlamentit. Edi Rama, nga ana tjetër ndodhet në panik, pasi nuk i ka votat e mjaftueshme në Kuvend dhe po përpiqet që me anë të blerjes së votave siç ka bërë gjithmonë të sigurojë kalimin e tij. Duhet theksuar se ky është një ligj për të cilin Rama është investuar fort çka shpreh qartë, kapjen e tij nga interesa të pastra të përfitimit personal.
Për mbajtjen e një referendumi për ligjin e plehrave kanë firmosur rreth 65 mijë persona, por Edi Rama vendosi ta kalojë me forcën e kartonit në Kuvend më datë 23 shtator. Më tej, ligji u zhvendos tek Presidenti i Republikës, i cili pas konsultimit me grupet e interesit vendosi mosdekretimin e tij dhe rikthimin në Kuvend. Dekreti i Presidentit, ka që më datë 13 tetor që qëndron në zyrat e Kuvendit, dhe për futjen e tij në rendin e ditës u vendos data 24 nëntor. Një ndër arsyet ku u bazua Presidenti për refuzimin e ligjit ishte dhe marrja e 65 mijë firmave për të organizuar një referendum në lidhje me këtë çështje, por që nuk u mor parasysh nga Rilindja. Duket se Edi Rama për këtë çështje nuk ka kundër vetëm opozitën, dhe Shoqërinë Civile, por dhe thuajse të gjitha partitë me të cilin qeveris, të cilat kanë shprehur hapur mosaprovimin e tyre.