Gjatë një takimi në Teatrin Kombëtar, artistët janë shprehur sërish kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, por restaurimit të tij.
Aktori i madh Robert Ndrenika foli në dëgjesën publike për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke bërë apel për mbrojtjen me çdo kusht të tokës ku është ngritur kjo godinë.
“Hë për hë është akoma në diskutim të prishet apo të mos prishet. Kryetarit të Bashkisë ia pëlqeva atë projektin e atij danezit por i thashë që të konsultohet me komunitetin e artistëve. ‘Po’, më tha, ‘do konsultohem’. Ende nuk e di të jetë konsultuar.
Më tha një miku im që ajo godinë as për teatër të Lezhës nuk bën, por unë si minimalist që kam qenë gjithë jetën, jam i kënaqur”, sqaroi Ndrenika para të pranishmëve në dëgjesën publike.
Ndrenika theksoi se godina dhe sidomos trualli ku është ngritur, janë të shenjta për komunitetin e artistëve.
“Më e shenjta nga të gjitha këtu është toka. Ky është Jeruzalemi ynë që do ta mbysin kryqëzatat e pesta apo të gjashta.
Kur isha drejtor Teatri ndonjë vit, më tha një koleg që ta privatizonim tokën.
Një drejtor tjetër që erdhi pas meje donte ta bënte me ligj që toka të ishte e Teatrit me tapi. Po mirë ne që kemi nga 70-80 vjet këtu, a nuk është gjynah që të vijnë 3-4 biznesmenë e të thonë është e jona e ta shesin me 10 mijë euro metri katrorë. Prandaj, le ta mbrojmë këtë tokë”, tha Robert Ndrenika.