Qytetarët e Tiranës thonë se, faturat mujore të ujit u janë rritur, jo vetëm nga rritja e çmimit të ujit, por edhe të taksave dhe tarifave të tjera që u vijnë në shtëpi me këtë faturë. “Ishte rritur, si nuk ishte rritur. Kam pas paguar 20 mijë lekë pagova 25 mijë, pesë mijë lekë më shumë. 100 mijë lekë pension, 75 vetëm drita e ujë”, thotë një i moshuar.
Që pas vitit 2015 për ta pasur të sigurt mbledhjen e taksave në faturën e ujit të pijshëm vendosen edhe detyrime që duhet të shlyejnë qytetarët ndaj Bashkisë së Tiranës. Disa prej këtyre taksave në vitin 2015 nuk kanë ekzistuar, ndërkohë që një tjetër taksë pritet të shtohet në fund të muajit që vjen.
“Ky vetëm duke i rritur ka ardhur. Më thuaj ti ça nuk ka rritur”, shprehet një banor i Tiranës. “Po një taksë për infrastrukturën arsimore, thonë e përkohshme, po nuk thotë njeri sa është. Po tani do të shtohet edhe kjo e banimit”, thotë një tjetër.
Aktualisht në faturën e ujit banorët e Tiranës paguajnë 4 taksa, të cilat shkojnë 60 euro në vit për çdo familje. Por nga 1 prilli faturës së ujit ose asaj të energjisë do t’i shtohet edhe një taksë e pestë. Ajo është taksa e pronës, e cila do të jetë 0.05 për qind e vlerës së shtëpisë. Për një banesë, e cila ka një vlerë 100 mijë euro, taksa e pronës do të jetë 50 euro në vit. Kjo do të thotë se nga një prilli barra e taksave që paguajnë banorët e kryeqytetit, por jo vetëm, në faturën e ujit do të rëndohet me gati dy herë nga niveli aktual./Top Channel/
Rritja e tarifave në Tiranë
Nga 1 janari 2018, tarifat e ujit u rritën me 44% në Tiranë (nga 45 lekë për metër kub në 65 lekë). Edhe në rastin e kryeqytetit ERRU argumentoi se rritja e tarifave ishte e përballueshme, ndërkohë që Autoriteti i Konkurrencës shfaqi rezerva të shumta për këtë rritje. “Për çdo rast të rishikimit të tarifave të reja për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizime, të përcaktohet qartë struktura e kostos mbi bazën e së cilës miratohen tarifat”, theksohet pas shikimit të vendimit të ERU-t. “Rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në mënyrë të veçantë të orarit të furnizimit me ujë”, rekomandoi Autoriteti.
Tjetër rritje
Faturat e ujit për familjet shqiptare pritet që të rriten në emër të reformimit të sektorit. Enti Rregullator i Ujit e ka paralajmëruar këtë në raportin vjetor të vitit 2017, ku vlerëson se ka ende hapësira për të rritur tarifat që lidhen sidomos me pjesën e shërbimeve. Në analizën e saj ERRU konfirmon se, ende situata mbetet problematike me një humbje në rrjet prej 67 për qind të ujit dhe ku lidhjet e jashtëligjshme zënë një pjesë të konsiderueshme, të paktën 20 për qind të totalit. “Nga përshkrimi i gjendjes së sektorit më sipër vihet re relativisht një përqindje e lartë e mbledhjes së faturave, ndërkohë që përgjithësisht sektori është në gjendje jo të mirë financiare. Kjo tregon që krahas problemit të lidhjeve të paligjshme, faktor tjetër kryesor për gjendjen e dobët financiare janë edhe tarifat e ulëta të shërbimeve, që kanë mjaft hapësirë për rritjen e tyre. Këtë fakt ERRU e ka një ndër konsideratat kryesore gjatë analizës, vlerësimit dhe miratimit të tarifave që propozojnë shoqëritë UK”, thuhet në raport.
Të gjithë këtë ERRU e argumenton me mundësinë e përballueshmërisë që është kriteri që përdor ky institucion për mundësinë që ka një familje për pagesën e faturës së shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve. Niveli që përdoret në këtë rast është 5 për qind e të ardhurave mesatare për familje. “INSTAT vlerëson se të ardhurat mujore mesatare të përgjithshme të një familjeje janë rreth 70,000 lekë/muaj, që i korrespondon një niveli të përballueshmërisë së tarifave prej rreth 300 lekë/m3. Tarifat aktuale të shërbimeve UK janë akoma mjaft më të ulëta se kjo vlerë”, thuhet në raportin e ERRU.