Në Ishëm, në një prej zonave të prekura nga tërmeti, shtëpitë janë të pabanueshme duke lënë në qiell të hapur dhjetëra banorë.
Banorët denoncojnë autoritetet se nuk janë interesuar për gjendjen e tyre, por i janë falenderues qytetarëve nga Kosova, që u kanë dhënë ndihma privatisht.
Një prej banorëve thotë se, as qeveria, as Bashkia, as kryeplaku i zonës, askush nuk është interesuar për ushqime, ngrohje, ose çadër.
“Shteti tek unë s’ka ardhur, as për ushqime dhe për asgjë. Kam tre fëmijë. Nuk e di ku do të shkoj”, tha një banor i cili është jashtë bashkë me familjen e tij me 5 anëtarë.
Një tjetër banor thotë se, ka kërkuar të kontaktojë më policinë dhe kryeplakun e fshatit, por asnjë nuk i është përgjigjur.
“Shtëpia është e shkatërruar, e kemi mbuluar me plasmas. Kemi marrë fund dhe kjo nuk ka shpjegim. Po mbajmë njëri tjetrin me ushqime të thata. Faleminderit vëllezërve kosovarë. Çadrat i kanë ndarë tinëz me miqësi dhe me parti”.
Banorët kërkojnë vetëm t’u sigurohen çadra, batanije, ushqime, kushtet minimale për mbijetesë në këto ditë shumë të vështira pasi kanë humbur gjithçka nga tërmeti i 26 nëntorit.