Revolta e heshtur në PS: Baza nuk i përgjigjet të dërguarve të Ramës

Bablokut po i has ‘sharra në gozhdë’ në strukturat bazike të Partisë Socialiste në territor. Nga Tirana, në të gjithë vendin, një pjesë e mirë e militantëve janë rebeluar ndaj të deleguarve të Edi Ramës, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me bazën.

Siç mësohet nga burime në PS, shqetësimi ka arritur deri në kupolë dhe kjo e ka tërbuar shefin e socialistëve, i cili për 11 vjet ka shpërndarë pushtet dhe punësime vetëm për rrethin e tarafit të tij, që rezulton edhe nga SPAK, një pjesë e lidhur fort me krimin.

Në Tiranë për shembull, Blendi Gonxhe nuk ka arritur dot të mbledhë organizatat e Kombinatit, pasi një pjesë e mirë e militantëve i kanë bërë të ditur se socialistët historikë janë më të braktisurit nga qeveria.

Madje në një mbledhje organizate të njësisë 6, zërat janë ngritur në maksimum, dhe i kanë bërë të ditur ministrit të Edi Ramës, se të gjithë të deleguarit në vite, nuk kanë pasur asnjë marrëdhënie me anëtarët, por në fund janë lidhur vetëm me të fortit e zonës.

Militantët i kanë kujtuar ministrit, se në fushatën e vitit 2021, parardhësja e tij e deleguar e kombinatit, ka punësuar në polici dhe administratë vetëm njerëz që kanë lidhje me krimin në zonë, e që janë të atashuar edhe nga agjencitë e specializuara, si të lidhur me trafiqet.

Janë përmendur emra dhe mbiemra “bejlerësh”, të cilët u janë punësuar nga më shumë se 3 persona në familje, ndërsa socialistë, edhe pse të diplomuar janë braktisur.

Kurioz është fakti, se kjo revoltë ka nisur të bëhet edhe më praktike, pasi janë përmendur emra dhe përvoja. Një socialist i njohur i njësisë 6 ka bërë të ditur se të gjithë personazhet e krimit, që janë takuar me deputetë e ministra, madje kanë marrë marrë dhe shërbime prej tyre, urrejnë vetëm një person në PS; Lali Erin.

Sipas militantëve, kryebashkiaku i Tiranës, ka qenë i vetmi deri tani ndër vite që nuk i ka qasur horrat e gangsterët e lagjeve, madje i ka mbajtur larg.

Në të vërtetë, kjo skenë nuk ka ndodhur vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin; nga Vlora në Shkodër, ku socialistët e organizatave në territor, u kanë kërkuar të deleguarve se nuk do të marrin pjesë as në zgjedhje, nëse shohin kriminelë e skizofrenë që dikur si ka qasur njeri në fushatën e Partisë Socialiste.

“Mirë ne s’na përfillni, djemtë nuk na i fusni në punë, po të paktën mos na i sillni në mbledhje organizate”, i ka thënë Blendi Klosit një socialist dibran, të cilit i kishte ardhur në majë të hundës nga ‘i forti’ që ka pagëzuar Edi Ramën me noftën “Babloku”.

Edhe në Shkodër, socialistët i kanë kërkuar Benet Becit që të mos i japë liri strukturave kriminale, çka realisht kryebashkiaku i Shkodrës e ka bërë.

Në takimin e fundvitit, PS e Shkodrës nuk ka pasur në festë asnjë intoksikim të personazhit Non- grata apo të të fortëve të lagjeve të qytetit.

Në Tropojë, PS-ja i ka kërkuar Pandeli Majkos që të propozojë për deputetë djem e vajza socialistësh që janë shkolluar e janë punësuar në kompani nga më të njohurat në SHBA, Kanada dhe Evropë.

Është interesante në këtë zhvillim që socialistët e bazës nuk i kanë bërë më thirrje Edi Ramës, pasi e dinë lidhjen e tij direkte me personazhet e krimit. Ja kanë kërkuar të deleguarve që i konsiderojnë si socialistë, ndërsa njerëzit që i konsiderojnë thjesht të Edi Ramës i kanë bojkotuar dhe nuk u kanë shkuar në mbledhje.

Një statistikë e frikshme ka arritur në sekretarinë e PS-së, ku më shumë se 20 përqind e organizatave socialiste nuk janë mbledhur thjesht nga revolta ndaj njerëzve që ka emëruar Edi Rama.

Ministrja e Arsimit, Manastirliu është izoluar vetëm në njësinë 9, ndërkohë që në njësinë 1 dhe 2 nuk i kanë shkuar në takim, duke e bojkotuar.

Socialistët e njësisë numër 2 i kanë bërë të ditur ministres se nëse do të vijë në takim, duhet të shoqërohet nga Erion Veliaj. Ky duket se është vetëm fillimi dhe Edi Rama nuk ka parë gjë akoma…/Pamfleti

Artikulli paraprakPër herë të parë, Siria emëron një grua në krye të Bankës Qendrore!
Artikulli tjetër“Degradimi i shoqërisë në turmë”