Revolta e Katalonjës nis nga ekonomia

BBC News

Qeveria separatiste e Katalonias mbajti një referendum për largimin e rajonit nga Spanja kundër vullnetit të autoriteteve kombëtare. Me një popullsi prej 7,5 milionë banorësh, kryeqyteti i këtij rajoni krenar dhe kryelartë është Barcelona. Lidershipi spanjoll e ka kundërshtuar votimin dhe gjykata kishte urdhëruar bllokimin e tij. Policia spanjolle reagoi duke arrestuar zyrtarë katalanas, duke bllokuar qendra votimi, bastisur ndërtesa rajonale dhe duke u përleshuar me popullsinë që kishte dalë në rrugë për të protestuar. Por çfarë e ka ngjallur këtë etje të madhe për pavarësi dhe a do të arrihet me të vërtetë, pavarësisht rezultateve të referendumit?

Si arritën deri këtu?
Katalonia është rajoni më i pasur i Spanjës dhe më produktivi pasi ka një histori 1 mijë vjeçare. Përpara luftës civile spanjolle gëzonte një autonomi të gjerë, por kjo është reduktuar menjëherë gjatë regjimit diktatorial të gjeneralit Francisco Franco. Pas vdekjes së Francos, nacionalizmi katalanas u rizgjua dhe rajonit verilindor iu njoh përsëri autonomia sipas Kushtetutës së vitit 1978.
Statuti i vitit 2006 i ka njohur akoma më shumë pushtet, duke rritur shtrirjen financiare të rajonit dhe duke e quajtur “shtet”, por Gjykata Kushtetuese e Spanjës e rrëzoi këtë statut në vitin 2010 duke inatosur kështu autoritetet rajonale. Të inatosur së tepërmi për reduktimin e autonomisë së tyre, si dhe nga vitet e tëra të recesionit dhe prerjet e shpenzimeve publike, katalanasit mbajtën në vitin 2014 një votim jozyrtar për pavarësi. Në votim morën pjesë mbi 2 milionë nga 5,4 milionë votuesit e rajonit dhe zyrtarët deklaruan se 80 për qind e popullsisë ishte në favor të pavarësisë. Separatistët fituan zgjedhjet në Katalonia në vitin 2015 dhe nisën punën për mbajtjen e referendumit zyrtar për të dalë kundër Kushtetutës së Spanjës, e cila thekson se Spanja është e pandashme.
Kështu, Parlamenti katalan miratoi një ligj të vetin me një votim të njëanshëm të 6 shtatorit ku ndodhej vetëm një pyetje në fletët e votimit: A dëshironi që Katalonia të jetë një shtet i pavarur në formën e Republikës? Më pas ishin dy kuti: Po ose Jo. Sipas këtij ligji të debatuar dhe kundërshtuar, rezultatet janë të ligjshme dhe pavarësia duhet të deklarohet nga Parlamenti brenda dy ditësh, pasi komisioni qendror zgjedhor katalan deklaron rezultatet finale. Presidenti katalan, Carles Puigdemont, theksoi se asnjë gjykatë apo entitet tjetër politik nuk mund ta pezullojë qeverinë e tij apo ta rrëzojë nga pushteti.
Si e priti Madridi? Shumë keq. Kryeministri Mariano Rajoy deklaroi se votimi ishte i jashtëligjshëm: “Këtë e them me qetësi dhe prerë: Nuk do të ketë asnjë referendum”. Pas kërkesës së kryeministrit, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin antikushtetues të miratuar nga katalanasit. Qeveria spanjolle gjithashtu vendosi të marrë në dorë financat dhe politikën e rajonit.
Zyrtarët katalanas që kishin organizuar votimin u arrestuan dhe u bllokuan mbi 10 milionë fletë votimi dhe faqe interneti që informonin katalanasit për referendumin. Vetë forca e policisë së Katalonias, “Mossos d’Esquadra”, u urdhërua të pranonte komandën e Gardës Civile paraushtarake të Spanjës dhe të ndalonte zhvillimin e referendumit. “Spanja ka pezulluar de fakto qeverinë e Katalonias dhe ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme”, deklaroi Carles Puigdemont.
Çfarë ndodhi? Votimi u zhvillua në disa forma dhe disa zona, por mbi 400 persona mbetën të plagosur kur policia përdori forcën për të ndaluar referendumin.

Pakënaqësitë e Katalonias me Madridin
Barcelona është kthyer në një prej qyteteve më të dashura dhe të frekuentuara të Bashkimit Europian dhe është e famshme për Lojërat Olimpike Verore 1992, panairet tregtare, futbollin dhe turizmin. Por kriza ekonomike e vitit 2008 në Spanjë e goditi shumë rëndë Katalonian duke e lënë me një normë papunësie prej 19 për qind. Rajoni është më i pasuri i Spanjës, ka mbi 16 për qind të popullsisë kombëtare dhe përbën 19 për qind të GDP-së spanjolle. Prej kohësh tashmë është krijuar bindja e përgjithshme se qeveria qendrore është duke kontribuar më shumë nga të gjithë rajonet e tjera dhe po merr shumë pak në këmbim.
Por a është e vërtetë se Madridi është duke e zhvatur Katalonian? Në fakt duket se merr më shumë nga ç’jep edhe pse kompleksiteti i transferimit buxhetor e bën të vështirë të gjykohet ekzaktësisht se sa kontribuojnë taksat e katalanasve dhe sa marrin mbrapsht me investime në shërbime si shkolla dhe spitale. Sipas shifrave të vitit 2014, Katalonia pagoi 9.89 miliardë euro më shumë në taksat e Spanjës nga ç’mori mbrapsht si shpenzime qeveritare, ekuivalentin e 5 për qind të GDP-së.
A ka vend për kompromis? Duket se jo. Ministrat spanjollë thonë se referendumi i ditës së dielë është tërësisht i paligjshëm dhe se qeveria e Madridit mund të pranojë vetëm të diskutojë çështjen e reformave kushtetuese. Ata mund të jenë të gatshëm të ofrojnë më shumë para ose autonomi më të madhe ekonomike, tha për “Financial Times” ministri spanjoll i Ekonomisë, Luis de Guindos. Megjithatë, kjo duket se nuk është e mjaftueshme për presidentin Carles Puigdemont dhe për lidershipin katalanas, të cilët prej muajsh të tërë luftojnë për të mbajtur referendumin që të dielën pretendojnë se e kanë fituar dhe është plotësisht i ligjshëm.

Çfarë e pret Spanjën dhe Katalonian tani?
Agresioni i policisë ditën e dielë dhe përleshjet brutale me protestuesit ka gjasa të nxisin akoma më shumë pasionin popullor për pavarësi dhe grupi separatist i bëri thirrje qeverisë rajonale të deklarojë pavarësinë menjëherë pas përleshjeve të dhunshme me policinë. Askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë nëse zyrtarët katalanas do të ndjekin deri në fund zotimin e tyre për ta përdorur referendumin e të dielës si bazë të vetëdeklaruar për pavarësinë, një provokim që mund t’i kushtojë Spanjës shumë, duke larguar një prej rajoneve më të pasur të shtetit, përfshirë edhe qytetin bregdetar të Barcelonës, kryeqyteti i Katalonias.

Exit mobile version