Revolta e qytetarëve në Gjirokastër për varfërinë dhe faturat e energjisë

Kryetari i PD, Basha ka prekur dje nga afër revoltën e qytetarëve të Gjirokastrës dhe zonave përreth saj me varfërinë, pasigurinë dhe faturat e tejfryra të energjisë elektrike. Në takimet e zhvilluara, Basha ka premtuar një paketë urgjente të masave për të nxjerrë ekonominë nga kriza menjëherë pas marrjes së votëbesimit në zgjedhje.
“Ne kemi një paketë të veçantë fiskale, 9 për qind taksë e sheshtë. Pra, nga 15 do të paguash 9, ke 6 për qind ulje në tatim fitim. 9 për qind kontributet shoqërore edhe për këta gjashtë të punësuar që ke, edhe për të vetëpunësuarit që ke këtu. Kemi uljen e TVSH-së nga 20 në 15 për qind. Ne do të fillojmë në vitin e parë me 100 milionë dollarë subvencionim të drejtpërdrejtë për sektorin e bujqësisë, agrobiznesin dhe sektorin ushqimor në tërësi dhe përfitues të kësaj do të jenë padyshim edhe rritësit e peshkut”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka diskutuar platformën ekonomike të Partisë Demokratike me biznesmenë dhe tregtarë të Gjirokastrës. Ai vizitoi një rezervat të kultivimit të peshkut në Cepo, ku u njoh me problemet që ndeshen në këtë sektor, si rezultat i taksave të larta, çmimeve të rritura të lëndës së parë dhe mungesës totale të subvencioneve.
Basha ka prekur nga afër zhgënjimin popullor me qeverisjen e majtë. “Kemi shumë vështirësi në tregje. TVSH-në e kemi shumë të lartë, është 20 për qind, nuk mund ta përballojmë dot. TVSH-ja duhet të ishte të paktën 10 për qind, të paktën 10 për qind. Çmimet e ushqimeve janë rritur nga koha që ne kemi filluar këtu e deri tani janë dyfishuar e gjysmë. Subvencionet ne nuk i kemi parë ndonjëherë”, u shpreh një tregtar.
Basha inspektoi edhe rrugën Kardhiq-Delvinë, një aks rrugor që i shërben jo vetëm banorëve të zonave, por është dhe një aks kombëtar që shkurton ndjeshëm distancën me Sarandën. Ky projekt i nisur nga qeverisja e Partisë Demokratike ka mbetur pa përfunduar sepse prej 3 vitesh nuk ëdhtë avancuar asnjë metër. Zoti Basha garantoi se do të jetë prioritet në mandatin e tij qeverisës të vendit.
“Por për këtë punë nuk ka lekë. Lekë ka për ‘Jaguar’, lekë ka për palma, lekë ka për 90 milionë dollarë për shpenzime, për orendi e për zyra. Por lekë për të bërë investime në infrastrukturë që ndihmojnë ekonominë lokale, ndihmojnë turizmin, ndihmojnë transportin kombëtar, për këto nuk ka lekë. Rrugën Kardhiq-Delvinë e kemi në krye të listës së prioriteteve të zhvillimit të infrastrukturës dhe ne do të investojmë për përfundimin e kësaj rruge”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi dhe familjet e Sokol Lukës, i cili ndonëse me probleme të mëdha shëndetësore (me këmbë të prerë) e pamundësisë ekonomike është lënë tërësisht jashtë vëmendjes së shtetit dhe në familjen e Arben Llavdonitit, familja e të cilit prej 3 muajsh nuk ka energji elektrike. Arben Llavdoniti tha se shteti nuk i paguan atij faturën që i ka borxh për punën e kryer si murator dhe bojaxhi në objekte publike. Si rezultat ai nuk ka qenë në gjendje të shlyejë faturat aforfe të energjisë që u dyfishuan, ndërkohë që shteti i vonon pagesat me të cilat duhet të ushqejë katër pjesëtarë të familjes. Edhe kërkesa e tij për t’i paguar pjesë-pjesë është refuzuar, duke e lënë në errësirë të plotë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se familjeve në nevojë ekonomike shteti do t’u vijë në ndihmë në mënyrë që të mos vuajnë nga mungesa e energjisë.

Basha: Çmimi i energjisë do të ulet për të gjithë ata që konsumojnë nën 300 kw

Për familjet në ndihmë ekonomike deri në 200 kw do të jetë pjesë e ndihmës që do të japë shteti. Për familjet që janë siç je ti, një familje punëtore, ne do të mundësojmë që çmimi i energjisë të jetë i përballueshëm dhe i pagueshëm.
Në tregun e Gjirokastrës, i cili për nga kushtet është primitiv, tregtarët thanë se me ditë të tëra nuk arrijnë të shesin asgjë. Papunësia e lartë dhe varfëria ka bërë që të bjerë konsumi dhe tregtarët të mos arrijnë të mbulojnë dot as shpenzimet minimale.
Kasap: Para tri viteve kam arritur deri në 75-80 kokë (krerë bagëti) në ditë tre ditët e Pashkës, në një ditë flas. Kurse sivjet 20 kokë (krerë bagëti), mezi. Fukarallëk i madh. Duke dhënë dhe mbush fletoren vetëm që ta shesim mallin, ta hiqnim.
Basha: Me listë?
Kasapi: Me listë. Lista është e madhe.
Tregtare: Unë s’kam bërë zero lekë, s’kemi të hamë bukë sot. Kam dy studentë, burrin pa punë, vetë pa punë.
Tregtare: Vajta tre ditë sot asnjë 100-she.
Basha: Tre ditë asnjë 100-she?
Tregtare: Po!
Basha: Sa fëmijë keni?
Tregtare: Tre fëmijë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar dhe “Gjirofarmën”, një ndërmarrje prodhuese e nënprodukteve të qumështit me 60 të punësuar direkt dhe 300 indirekt. Drejtuesit e kësaj kompanie i kërkuan zotit Basha të shohë mundësinë e uljes së TVSH-së për këto produkte, pasi kjo mundëson rritjen e prodhimit, çka do të thotë rritje të të ardhurave për qindra familje të zonës së Gjirokastrës dhe Sarandës.
Zoti Basha u ndal dhe në një fabrikë fasonësh me 70  të punësuar. Ato i thanë zotit Basha se janë të vetmet të punësuar në familjet e tyre dhe me pagat që marrin mezi sigurojnë bukën e gojës për familjet e tyre.
Punonjëse: I kemi burrat pa punë, punojmë që të mbajmë burrat në shtëpi që të mbajnë fëmijët. Kjo është katastrofë. Ne na është mërzitur jeta. Imagjino që të ushqesh me 250 mijë lekë katër veta në shtëpi.
Punonjëse: Na mësojnë fëmijët dhe nuk mundemi ku t’i çojmë. Ne me këtë pagë të mbash fëmijë në shkollë të lartë është katastrofë.
Punonjëse: Këtu korrenti ikën, makineritë prishen dhe shteti as s’ka vënë dorë. Vetëm heq korrentin me dashje, pa dashje, pa logjikuar fare se këtu ka punëtorë. Punojnë dhe ne detyrimisht pagat tona kështu do të vejë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se rritja e pagës minimale, ulja e çmimit të energjisë dhe ulja e moshës së pensionit janë pjesë e platformës së Partisë Demokratike. Duke shpalosur ofertën e demokratëve para sipërmarrësit të kësaj fasonerie, ky i fundit konfirmoi se me këtë platformë të demokratëve është e mundur që paga e punonjësve të rritet me afro 50 mijë lekë të vjetra, çka është dhe synimi i zotit Basha.
Basha: I them të të ul taksën nga 15 në 9 për qind, të të heqë taksën e dividentit, të të ul kontributin e sigurimeve shoqërore në 9 dhe unë do të kërkoj pagën minimale 300 mijë lekë në muaj.
Aleksandri (investitori i fasonerisë) thotë se është dakord.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se ulja e taksave sipas planit ekonomik të Partisë Demokratike do të përkthehet në rritje të pagave për punëtorët e sipërmarrjeve në Shqipëri, si dhe do të ndihmojë në hapjen e vendeve të reja të punës.

Artikulli paraprakMyzyri, menaxheri i Sadriut i jep tenderat Abazit si zyrtar i komisionit
Artikulli tjetërFier, ndalen punimet për By Pass-in, punonjësit pa paguar prej 6 muajsh