Ka nisur protesta madhështore e thirrur nga opozita e bashkuar para Parlamentit. Mijëra qytetarë janë mbledhur tek Parlamenti dhe kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. “Rama ik”, ‘Rama ik”, thërrasin protestuesit para Parlamentit.
Ndryshe nga protesta e kaluar policia ka forcuar radhët e saj. Janë 7 kordonë policësh para parlamentit. Mësohet se efektivët e FNSH-ve janë vendosur pas tre kordonëve së policisë së rendit dhe 3 kordonëve të forcave Shqiponja. Ndërkohë protestuesit janë mbledhur para parlamentit. Opozita e Bashkuar proteston sërish sot, por tubimi do të mbahet para parlamentit.
Të rinjtë e FRPD kanë hedhur karafila para parlamentit dhe kanë ndezur qirinjtë, në shenjë simbolike. Të rinjtë e FRPD shprehen se karafilat dhe qirnjtë simbolizojnë fundin e kësaj qeverinë dhe po i bëjnë funeralin politik rilindjes.
1200 forca policie do të jenë në terren për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të jenë në oborrin e parlamentit, ndërsa garda do të qëndrojë brenda parlamentit dhe në tarracë. Ndërkohë përreth parlamentit janë vendosur tela me gjemba.
Sheshi përpara parlamentit të Shqipërisë është mbushur plot e përplot me qytetarë të shumtë, që protestojnë me rastin e funeralit të qeverisë Rama.
Përveç ambienteve përpara parlamentit, janë mbushur edhe rrugët përreth, duke bërë që shumë qytetarë të mos kenë vend ku të protestojnë.
Ky masivitet ka bërë, që shumë prej tyre të hipin edhe nëpër pemë.