Shqiptarët po i përgjigjen masivisht protestës së opozitës më datë 18 shkurt, duke paralajmëruar revoltë të fuqishme popullore deri në rrëzimin e qeverisë. Të mposhtur nga varfëria, pasiguria dhe arbitrariteti i qeverisjes, shqiptarët nga Veriu në Jug të vendit po shprehin çdo ditë e më shumë nevojën për ndryshim, duke kërkuar mbështetjen e kreut të PD, Basha për zgjidhjen e problemeve të tyre dhe dhënien fund të kësaj qeverie.
Një reagim i fortë u shpreh dje nga banorët e Kamzës, të cilët u takuan dje me kreun e PD, Lulzim Basha. Të gjunjëzuar nga mungesa e ndihmës ekonomike, banorët shprehën se situata në familjet e tyre për shkak të varfërisë është mbytëse dhe dëshpëruese.
Në pamundësi për të paguar mbifaturimet e energjisë, të pamundur për të paguar ilaçet, për të shkolluar e ushqyer fëmijët, pa punë dhe pa të ardhura, banorët u shprehën se kjo qeveri nuk ofron gjë tjetër veçse mjerim për familjet e tyre.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua mëngjesin e djeshëm me qytetarë të Kamzës dhe vizitoi disa familje në nevojë. Ai bisedoi me ta për gjendjen e vështirësitë e mëdha ekonomike dhe jetësore që kalon shumica e zonës së Kamzës për shkak të papunësisë dhe të braktisjes së tyre nga shteti.
Basha takoi familjen e Shyqyri Durishtit, i arrestuar nga policia pasi tentoi të sillte dritë në shtëpi për familjen e tij, të pallogaritur nga ndihma ekonomike shtetërore, pavarësisht gjendjes të banesës dhe kushteve të jetesës.
“Të ngrihemi të gjithë bashkë në këtë lëvizje, të frymëzuar edhe nga zmbrapsja e qeverive të korruptuara në vendet europiane, e arritur vetëm përmes forcës së njerëzve dhe zërit të qytetarëve”, tha Lulzim Basha. Pas vizitës në shtëpinë e disa familjeve të pamundura ekonomikisht për të përballuar jetesën, kryetari demokrat Lulzim Basha ndaloi për të diskutuar me banorët mundësinë e një zgjidhje, që do të nisë më 18 shkurt për t’u shtrirë më pas në gjithë Shqipërinë.
Në një postim në Facebook, në lidhje me takimet e zhvilluara dje me banorët e Kamzës, kreu i PD, Basha thekson se ka ardhur koha që shqiptarët të ngrenë zërin kundër padrejtësive ndaj tyre.
“Sot takova qindra banorë të Kamzës. Jeta e tyre, si e shumicës së njerëzve, është plot vështirësi e vuajtje. Varfëria, papunësia, shëndetësia që kërkon para nën dorë, shkollat e ftohta dhe pa kushte, mbifaturimet e energjisë elektrike, këto janë vetëm disa nga problemet e shumicës së familjeve të Kamzës. Qeveria harxhon më shumë për propagandë dhe fasada luksoze, se sa për shëndetin dhe arsimimin e njerëzve. Kundër kësaj gjendjeje dhe shpërfilljeje duhet të ngremë zërin dhe të #NgrihemiBashkë më#18Shkurt”.
Në ftesën e tij drejtuar qytetarëve, Basha thotë se, vetëm me kurajo dhe vendosmëri pushteti i grabitur në këto vite do të rikthehet sërish tek njerëzit. “I ftoj të gjithë bashkëqytetarët në një manifestim kundër qeverisë më 18 shkurt, në Tiranë. Të protestojmë bashkë kundër padrejtësive dhe varfërisë, kundër shëndetësisë që lëngon dhe arsimit të shkatërruar, kundër arrogancës dhe shtypjes qeveritare, kundër drogës, krimit dhe kriminelëve në politikë. Të mbrojmë lirinë për të zgjedhur dhe të tregojmë vendosmërinë për të ruajtur votën. Vetëm me kurajo dhe vendosmëri mund ta kthejmë pushtetin tek njerëzit”, shprehet Basha në ftesën drejtuar shqiptarëve.
A.Shahini