Revolta popullore, karton të kuq Ramës

Të zemëruar për miratimin e ligjit të importit të mbetjeve nga Parlamenti shqiptar më 23 shtator, mijëra qytetarë dhe aktivistë dolën të shtunën në rrugët e kryeqytetit me thirrjet “Jo plehrat në Shqipëri”, në protestën e organizuar nga Aleanca kundër Importit të Plehrave.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Boll plehra ka Shqipëria”, “Të pastrojmë Shqipërinë, pastaj botën”, “Ky ligj vjen erë vdekje”, si dhe “Biznes plehrash, deputetë kazanësh, referendum!”.
Qytetarët ngritën kartonë të kuq për të shprehur votën e tyre kundër ligjit që i hap rrugën importit të mbetjeve në shtetin shqiptar dhe bënë thirrje si “turp! turp! turp!”.
Ata marshuan drejt institucionit të Kryeministrisë, duke kënduar himnin shqiptar dhe e cilësuan ligjin si shkelje të interesave të Shqipërisë për një të ardhme të shëndetshme e të begatë.
“Ky është një marshim i Shqipërisë drejt Europës me ne si qytetarë të përgjegjshëm… që protestojnë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ky është një marshim që do të zgjojë kurajën e qytetarëve”, tha në protestë aktivistja Kozara Kati.
“Jemi këtu për ta detyruar politikën shqiptare të dëgjojë zërin e popullit (kundër importit të mbetjeve)”, shtoi ajo.
Protestuesit i bënë thirrje Presidentit të Shqipërisë të mos e dekretojë ligjin e miratuar nga Parlamenti dhe shprehën vendosmërinë për rrëzimin e ligjit të importimit të mbetjeve me të gjitha mënyrat e mundshme.
“Ishin 63 deputetë që e menduan të lehtë kalimin e ligjit me kartonët e tyre, por janë mbi 63 mijë qytetarë që i kanë thënë jo plehrave”, tha në protestë aktivisti Lavdosh Ferruni, duke iu referuar nismës për referendum.
Ndërsa recitonte vargjet e rilindasit Naim Frashëri, aktivistja Brizida Gjikondi deklaroi në protestë se, politikanët që lejuan importin e plehrave në Shqipëri, kanë hequr dorë nga kombi.
“Importi i plehrave është tradhti e pastër e Shqipërisë. Kjo klasë politike e ka shfrytëzuar në mënyrë kriminale shtetin, por Shqipëria nuk mund të zhvillohet me import plehrash”, tha Gjikondi.
“Rama e shkeli fjalën e dhënë, edhe si burrë edhe si shqiptar!”, shtoi ajo.
Mijëra protestuesit e akuzuan Kryeministrin Rama se e ka tradhtuar elektoratin e tij dhe popullin, duke shkelur fjalën e dhënë në vitin 2013 për moslejimin e importit të mbetjeve.
“Të gabosh është njerëzore, por të jesh kokëfortë në kurriz të popullit është djallëzore… Ju na keni mashtruar, i keni tradhtuar shqiptarët”, tha në protestë aktivisti Besmir Agalliu.
Duke folur të shtunën në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama e mbrojti ligjin e importit të mbetjeve, duke e quajtur atë të domosdoshëm.
“Ligji për mbetjet, i domosdoshëm dhe tërësisht konform ambicies sonë për një Shqipëri më të pastër”, tha Kryeministri Rama.
Tre deputetë të PS dhe LSI, Shalsi, Bushati dhe Derveni propozuan në korrik rikthimin e importit të mbetjeve me arsyetimin se, “nxit industrinë e riciklimit në vend dhe krijon mijëra vende të reja pune”.
Ligji kaloi më 23 shtator me 63 vota pro të deputetëve të PS dhe LSI dhe 27 vota kundër. Miratimi i tij ka nxitur protesta të shumta në Tiranë dhe disa qytete të Shqipërisë, të cilat aktivistët paralajmëruan se do të vazhdojnë.

Presidenti të mos dekretojë ligjin

Protestuesit i bënë thirrje në mënyrë të vazhdueshme Presidentit Nishani që të mos dekretojë ligjin e mbetjeve. Një tjetër organizator i protestës kundër importit të plehrave tha se nuk mund të vazhdonim që të varrosnim mbetjet tona duke importuar mbetje nga jashtë. “Ne nuk mund të vazhdojmë të varrosim mbetjet tona, ne nuk mund t’i hedhim në det, ne nuk mund t’i hedhim në lumenj, ne nuk mund të vazhdojmë ta shkatërrojmë natyrën e Shqipërisë siç kemi bërë deri tani, ne nuk mund ta helmojmë Shqipërinë me mbetjet tona dhe njëherësh të importojmë mbetjet e të tjerëve. Ne prodhojmë mjaftueshëm mbetje që ta ushqejmë industrinë e riciklimit. Çdo gjë tjetër është ikje dhe shmangie nga problemi dhe gjëja më e lehtë për t’u bërë. Ku janë kontrollet? Ku janë të trajnuarit? Ku janë laboratorët? Ne do ta çojmë deri në fund të drejtën tonë për referendum. Një tjetër protestues kërkoi nga Presidenti i Republikës që të mos dekretonte importin e mbetjeve”, theksoi protestuesi. “Kam një mesazh për Presidentin! Mos e dekreto këtë ligj. Vepro si baba. Jemi këtu baballarë, nëna, prindër. Ktheja Parlamentit ligjin, ktheje tek ata plehra deputetë aty u shpreh ai. Nga ana tjetër, një tjetër protestues theksoi se qytetarët shqiptarë duhet të zgjohen dhe kjo protestë ka qëllim këtë. Ajo tha se protesta është tërësisht civile dhe që i kërkon politikës shqiptare që të dëgjojë zërin e qytetarëve. “Kjo protestë ka për qëllim që të na zgjojë kurajën qytetare që të mos mblidhemi më si militantë të forcave politike. Kjo është një e drejtë kushtetuese që e kanë keqpërdorur politikanët tanë. Ka ardhur koha që ne të veprojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne jemi këtu jo për ndonjë luftë politike, nuk i shërbejmë asnjë partie politike. Ne jemi këtu për ta detyruar politikën shqiptare që të dëgjojë zërin dhe vullnetin e popullit”, tha një prej përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Rama në panik, largohet nga zyra blindon Kryeministrinë

Që në orët e para të mëngjesit, forca të shumta policie blinduan godinën e Kryeministrisë pas një urdhri të Ramës për të garantuar selinë nga turma e protestuesve. Masiviteti i paralajmëruar i revoltës së qytetarëve ka futur panikun tek Rama, i cili jo vetëm që qëndroi larg zyrës së tij kryeministrore, ndërsa zhvillohej protesta. Rreth 500 forca policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar kundër importit të mbetjeve. Protesta u organizua nga Aleanca kundër Importit të Plehrave, në aleancë civile. “Sot (dje) më datë 01 tetor 2016, ora 11.00 – 14.00 Aleanca kundër Importit të Plehrave, do të zhvillojë një protestë në formë marshimi duke filluar nga Parku ‘Rinia’, krahu i Monumentit të Pavarësisë, për të mbërritur përpara Kryeministrisë, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Exit mobile version