Shembja e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Kombinat të Tiranës, që ka nisur sot, ka revoltuar banorët të cilët nuk janë të qartë se çfarë po ndodh me pronën e tyre dhe as me fatin e tyre, sepse nuk kanë asnjë dokument në dorë.
Në një intervistë për SYRI TV, njeri nga banorët tha se nuk ka besim tek ekspertiza e bërë dhe tani që shembja ka nisur pa i pyetur, as u kanë thënë se ku do t’i çojnë, sepse bashkia nuk u ka dhënë asnjë dokument. Me hamendësime ata dinë që do t’i dërgojnë në pallatet në një cep tjetër të Tiranës, atje ku me shumë gjasa ka qënë një moçal.
Një tjetër banor ka akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama, edhe ai sepse nuk ka marrë asnjë dokument për banesën e re para se të shembet shtëpia e mëparshme. Por me presionet që u kanë bërë janë dorëzuar, siç tha. Pallati është vlerësuar DS3 nga ekspertët turq, ndërsa më pas ka dalë si DS4, situata që kanë çuar në frikë dhe dyshim se çfarë do të bëhet me strehimin e tyre.