Qindra banorë të Korçës janë hedhur në protestë për grabitjen e pronave të tyre që po u bëhet nga qeveria dhe deputetët e mazhorancës, në zonën e Porodinës. Banorët akuzojnë se, Niko Peleshi dhe Olta Xhaçka qëndrojnë pas kësaj skeme, që u heq atyre qindra hektarë tokë, pronë e tyre e njohur, në emër të një projekti për ndërtimin e një aeroporti.
Gjatë protestës që u mbështet edhe nga Partia Demokratike, qytetarët e zonës u kanë treguar përfaqësuesve të opozitës dokumentat që kanë. Sipas tyre, kjo është një tokë bujqësore, por me këtë projekt, ajo bëhet tokë truall, duke iu pesëfishuar vlera, po sigurisht për plaçkitësit e saj.
Të dhënat tregojnë se me ndikimin e Peleshit dhe Xhaçkës e gjithë kjo zonë i ka kaluar në pronësi një personi, i afërt me ta, dhe ndërkohë janë zhveshur nga pasuria e tyre të gjithë banorët e zonës.
Aeroporti nuk duket gjëkundi, por prona u është grabitur banorëve, duke iu nënshtruar këtij projekti. Qytetarët e zonës tregojnë dokumentat që kanë, dhe akuzojnë qeverinë. Kjo është një tokë bujqësore, por me këtë projekt ajo bëhet tokë truall duke iu pesëfishuar vlera, po sigurisht për plaçkitësit e saj. Partia Demokratike është në krah të banorëve dhe kërkesave të tyre. Salianji u shpreh se kjo padrejtësi bëhet në kurriz të qytetarëve për interesa klienteliste.
“Jemi këtu për t’ju mbështetur për tjetërsimin e pronës, për vjedhjen që po ju bën qeveria, Bashkia e Korçës, zv/kryeministri. Mos e kërkoni në asnjë vend. Ju e keni bashkëfshatare deputeten e zonës, ju ka ardhur t’ju marrë votat, pasi ka ardhur për t’ju marrë votat, tani po ju merr edhe pronën. Keni 26 vjet që e posedoni, keni edhe çertifikata pronësie, nuk mundet për një aferë të pisët korruptive të kalojnë para në një dore të vetme e t’u merret prona bashkëfshatarëve e t’i kalojë prona një njeriu të vetëm. E bëjnë vetëm për një arsye, sepse e kanë kaluar me vendim të Këshillit Bashkiak për të miratuar aeroportin. Projekt që nuk ju shërben ju, nuk ju trajton ashtu siç duhet, për të cilin nuk ju kanë marrë asnjë mendim”, tha Salianji.
Vendimi i Këshillit Bashkiak të Korçës për ndërtimin e një aeroporti civil në një zonë, që përfshin edhe pistën e aeroportit ekzistues, ka sjellë reagimin e banorëve që preken nga zbatimi i këtij projekti. Fermerët e fshatit Porodinë kanë kundërshtuar projektin e Bashkisë, i cili sipas tyre është një aferë e pastër korruptive. Banorët thonë se, tokat e tyre, për të cilat zotërojnë edhe çertifikata pronësie, kohët e fundit, me një vendim gjykate, i kanë kaluar në pronësi vetëm një personi, i cili pretendon të jetë pronari i kësaj sipërfaqe toke. Me këtë vendim gjyqësor, 28 familjet e Porodinës humbin edhe të drejtën e përfitimit të vlerës së shpronësimit.
Rajoni i Korçës, pasi u mashtrua dhe varfërua për 3 vjet rrjesht po tentohet të shkatërrohet përfundimisht edhe me ndërtimin e TEC-it të Maliqit. Para tre ditësh banorët e fshatit Sheqeras dhe zonave përreth u ngritën në protestë kundër ndërtimit të TEC-it të torfës. Qeveria merr 288 ha tokë që shfrytëzohet si tokë bujqësore nga banorët dhe e kthen tokën në zonë minerare. Fusha e Korçës me këtë akt kthehet në moçal të pajetueshëm. Këta pronarë tokash, njerëz që nxjerrin jetesën me tokën e tyre, ndërsa nuk i kërkojnë asgjë qeverisë vetëm i japin, i kthyen në instrumenta përfitimi, duke i vjedhur fshehtazi me vendime pa dijeninë e tyre, duke tentuar t’iu marrin edhe mundësinë e vetme për të jetuar. Korça me këtë TEC e humb edhe atraksionin turistik edhe punësimin në bujqësi.