Revoltë në Shkodër, Rama ikën me helikopter

Kryeministri Rama ka hyrë me helikopter në Shkodër për të marrë pjesë në mitingun elektoral me të rinjtë që votojnë për herë të parë. Të rinjtë e Partisë Demokratike në Shkodër kanë dalë në protestë, duke e bllokuar Ramën në hyrje të qytetit. Protestuesit e shumtë mbanin pankarta në duar ku shkruhej “Po Republikës së Re”, “Jo monizëm”, “Jo zgjedhje me drogë” dhe “Jo blerjes së votës”, i kanë dalë para Ramës dhe nuk e kanë lejuar të vazhdojë rrugën për pak çaste. Forca të shumta të policisë, FNSH dhe të Gardës së Republikës kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, por nuk ia kanë arritur qëllimit. Në një situatë të tillë, Rama ka hyrë me helikopter në qytetin e Shkodrës.
Deputeti i PD, Bardh Spahia, ka publikuar fotot e protestës së të rinjve ndaj Ramës në hyrje të Shkodrës. “Të rinjtë e Shkodrës detyrojnë Ramën të marrë helikopterin në Gjadër të Lezhës për të hyrë në Shkodër…”, shkruan Bardh Spahia në Facebook. Gjatë takimit, Rama nuk tha asgjë për programin e tij elektoral, por sulmoi ashpër kryetaren e Bashkisë së Shkodrës. Fjalimi i tij nuk u prit mirë as nga socialistët që kishte rreth vetes.
Më herët, në mesditë, PS tentoi të ngrejë një tendë para Bashkisë së Shkodrës për mitingun e Ramës, por nuk u lejua nga Policia Bashkiake. Por Policia e Shtetit është përplasur me Policinë Bashkiake dhe punonjësit e bashkisë, duke kërkuar që të vendoset tenda. Për këtë ngjarje të rëndë reagoi kryetarja e Bashkisë.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi i bërti thirrje Ramës që të mos provokojë Shkodrën. “I bëj thirrje Kryeministrit Rama të mos provokojë Shkodrën”, tha Ademi gjatë një deklarate për mediat. Ajo theksoi se, “në mënyrë të paligjshme Policia e Shtetit ndërhyri për të mos lejuar zhvillimin e aktivitetit për ditën Ndërkombëtare të Familjes”. “Bashkia Shkodër do të ketë aktivitet edhe në orën 17:00-20:00 dhe i bën thirrje Kryeministrit Rama që të mos provokojë, sepse lejen për aktivitetin nuk e ka në oborrin poshtë Bashkisë, por pranë Prefekturës”, tha kryebashkiakia Ademi.
Po ashtu, reagoi edhe kryetari i degës së PD Shkodër, Ramiz Çobaj. “Me forcën e policisë, tenton të organizojë aktivitetet elektorale në oborrin e Bashkisë (edhe pse aty po zhvillohej një aktivitet për Ditën e Familjes, i organizuar nga administrata e Bashkisë….) A ky lloj mostre do na sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme? Ky do ruajë votën tonë? Një arsye më shumë për të këmbëngulur në kërkesat tona”, shkruan Çobaj.
Pas këtyre reagimeve, Policia e Shkodrës është detyruar të largohet, ndërsa u njoftua se takimi i Ramës do të zhvillohej para Prefekturës.

Nxënës me autobusë në mitingun e Ramës

Edhe në takimin e djeshëm të Ramës në Shkodër janë dërguar autobusë me nxënës dhe të rinj nga Puka, Lezha e Kopliku dhe zonat përreth Shkodrës, për të mbushur sheshin. Megjithatë, Rama ka dështuar sërish ashtu si dje në Vlorë. Kryetari i PD të Shkodrës, Ramiz Çobaj ka denoncuar drejtuesit e shkollave të Sfahrtarbe të Shkodrës, të cilët kanë detyruar nxënësit që të shkojnë në mitingun e Ramës. Në një postim të Facebook, Çobaj shkruan se, drejtoresha e Shkollës së Mesme në Postribë i ka mbajtur për 2 orë të ngujuar nxënësit dhe më pas i ka dërguar me autobus në mitinguin e Ramës. “Drejtoresha e Shkollës së Mesme “Adem Haxhija” në Postribë të Shkodrës, pasi ka mbajtur nxënësit për rreth dy orë në “arrest shkollor”, i ka dërguar në mënyrë të organizuar, me autobusë në qytet, për të marrë pjesë në mitingun elektoral të kryeministrit Rama me rininë në orën 17:00. Si kjo drejtoreshë, po veprojnë edhe të gjithë drejtorët e tjerë të shkollave. Dhe pastaj thonë se, arsimi nuk është i depolitizuar… Shpifje opozitare”, shkruan kryetari i PD Shkodër.

Mjekë dhe infermierë me detyrim në miting

Drejtuesit e Spitalit të Shkodrës kanë detyruar punonjësit që të dalin në protestë për takimin e Ramës. Disa portale publikuan dje një sms që drejtori i spitalit u kishte dërguar mjekëve, infermierëve e pastrueseve që të dalin të gjithë tek holli i spitalit, sepse vjen Rama.
Mesazhi ka mbërritur tek punonjësit nga Drejtoria e Spitalit, ku thuhet se vjen Rama dhe duhet të mblidhen të gjithë tek holli dhe pastaj tek Bashkia ku do të zhvillojë kryeministri takimin. “Porosia është që të jenë mjekë dhe infermierë të rinjë”, shkruhej në mesazh.
Vetë Rama pati deklaruar pak ditë më parë se administrata nuk do të përfshihet në fushatë. Ky është i disati rast flagrant që publikohet në media, ku mësues, nxënës, mjekë, infermierë, etj., detyrohen të marrin pjesë në mitingjet e Edi Ramës.

Basha-Ramës: Je modeli i shpifur i Republikës së Vjetër

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar ndaj sulmeve të kryeministrit Rama ndaj kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Në një deklaratë për mediat, Basha thotë se, Kryeministri Rama është modeli i shpifur i Republikës së Vjetër. Në reagimin e tij, Basha shprehet gjithashtu se, gjatë tubimit në Shkodër Rama dha shembullin më të keq para të rinjve kur fyeu kryebashkiaken Ademi, një grua, nënë e qytetare.
“Çdo i ri, kur thirret në një takim nga kryeministri i vendit, me të drejtë pret të dëgjojë ide, argumenta, vizione, projekte që do ta preknin jetën e tij, të ardhmen e tij.
Ndërsa sot, Rama u tregoi qartazi të rinjve në Shkodër, se çfarë nuk duhet të jetë politika. U tregoi llumin e tranzicionit që është ende prezent në Shqipëri 27 vite pas nisjes së pluralizmit.
E nisi dhe e mbaroi takimin, duke fyer rëndë një kryetare bashkie, një shkodrane, një qytetare, një nënë, një grua.
Paturpësisht dhe në sy të disa 18-vjeçarëve, të cilët i ka ndëshkuar, duke mos dhënë asnjë fond për qytetin e tyre vetëm, sepse shkodranët nuk e kanë votuar”, shprehet Basha.
Basha thotë më tej se, sulmet e përsëritura të Ramës ndaj zonjës Voltana Ademi, nxjerrin në pah një të vërtetë. “Ky palo burrë, çmon gratë që i nënshtrohen, që i fyen, që i sundon, që i binden, që i nëpërkëmb. Ose gratë me të cilat ndan biznesin, aferat, koncesionet dhe bankat private. Një zonjë që e kundërshton, që nuk i nënshtrohet, që reagon me dinjitet, ai e ka frikë ndaj dhe e sulmon si frikacak.
Ky është Edi Rama. Me çdo vilmanush e çdo linditë që bën lekë me të, që e pranon si shef, që ja përtyp fyerjet dhe fodullëkun, ai e ka në rregull. Por me çdo grua që mendon ndryshe, që ka krenari dhe forcë për të mos u përkulur, atë e kap një frikë e madhe që as nuk e fsheh dot.
Ky është modeli i shpifur politik i Republikës së Vjetër që po zhduket”, përfundon Basha.

Voltana Ademi: Shkodra do të drejtohet gjithmonë nga njerëzit e lirë

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi i është përgjigjur akuzave të Kryeministrit Edi Rama, që ky i fundit bëri nga Shkodra. Përmes një statusi në Facebook, Ademi shkruan se është Kryeministri Rama që bllokon çdo projekt të Bashkisë, ndërsa shton se Shkodra do të qeveriset gjithmonë nga njerëz të lirë.
“Edi Rama sulmon Bashkinë Shkodër e thotë me vete: “Si ka mundësi!!!! Unë i bllokoj çdo gjë e këto çdo ditë po vazhdojnë të ndërtojnë e zbatojnë projekte!!!”
Në fakt, nëse ka një njeri që është tallur e po tallet me Shkodrën është Rama!
Shikoni këtë video…
Tallje e Ramës është kur thotë që bëmë “Marubin”, e që në fakt e bëri qeveria Berisha, por shiritin e preu Rama…
E sa për Liqenin e Shkodrës është projekti ynë, ëndrra që po realizojmë për të gjithë shkodranët.
Edhe pse sot në Shkodër solle autobuzë me turista nga Puka, Lezha e Kopliku, prapëseprapë, si pasojë e kësaj tallje, sot takimi të dështoi!
Edhe pse ti Kryeministër mashtron për gjithçka që flet dhe e urren Shkodrën, të premtoj se Shkodra historikisht është drejtuar e do të drejtohet nga demokratët e njerëzit e lirë!”, shkruan Ademi.
Kryebashkiakja Ademi ka publikuar edhe një video në Facebook. që sipas saj pasqyron talljen e Edi Ramës me shkodranët.

R.POLISI

Artikulli paraprakKLSH: Tatim progresiv mbi të ardhurat e deputetëve
Artikulli tjetërSHBA: Problemet qëndrojnë, gati ndihma për ti zgjidhur