Një marshim proteste po zhvillohet sot në qytetin e Vlorës, nga qytetarë të irrituar nga trafiku i lëndëve të rrezikshme, me moton ‘Vlora është perlë, nuk është plehrë’.
Marshimi i tyre ka nisur nga Skela drejt Portit.
Eshtë një reagim i fortë qytetar që vjen pas lajmit që tronditi vendin se lëndë kancerogjene futeshin fshehurazi me traget nga Vlora për t’u depozituar në Shqipëri.
“Mos na helmoni fëmijët”, “Shqipëria nuk është kazan” dhe ‘Vlora është perlë, nuk është plehrë’, ishin disa nga pankartat që mbanin qytetarët në duar duke deklaruar se nuk do të lejojnë që toka, uji dhe ajri i tyre të helmohet nga përfitues të aferave të dyshimta.
Ata kanë marshuar disa minuta në rrugët e qytetit dhe janë drejtuar më pas në Portin e Vlorës duke u kërkuar të gjithë qytetarëve tu bashkohen për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të fëmijëve.
“Të na japin përgjigje, të kërkojmë llogari nga autoritetet. Duam të jetojmë të sigurt në vendin tonë‘, janë shprehur protestuesit.