Revoltë para bashkisë Fier kundër plehrave: “Na futët kancerin në gjak”

Qindra banorë të fshatrave Vajkan, Verri dhe Kallm protestuan sërish dje para Bashkisë së Fierit kundër ndërtimit të impiantit të plehrave. Në protestë bashkë me banorët kishin dalë edhe fëmijët. Banorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave deri kur të anulohet vendimi  i Bashkisë së Fierit për ndërtimin e landfillit të plehrave. “Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë ndërtimin e impiantit të vdekjes. Na e futën kancerin në gjak. Ne të vdekur jemi. Rrugë s’kemi, ujë s’kemi tani po kërkojnë të ndërtojnë edhe landfillin e plehrave”, kanë thënë banorët.
Banorët kanë nënshkruar një peticion me mbi 1 mijë firma dërguar Ministrisë së Mjedisit, kundër projektit për impiantin e përpunimit të mbetjeve të Bashkisë Fier.
Ndërkohë, projekti i landfillit të Verrisë në Fier është kundërshtuar ashpër edhe nga këshilltarët e djathtë në mbledhjen e këshillit bashkiak të Fierit ditën e djeshme. “Ju i keni ngrënë në besë qytetarët, ju i keni mashtruar! Banorët kërkojnë përgjigje! Banorët kërkojne drejtësi”, është shprehur Baçi në mbledhjen e këshillit bashkiak. Këshilltarët e djathtë pasi nuk kanë marrë sqarim nëse ka ose jo leje për ndërtimin e impiantit nga Bashkia, kanë braktisur mbledhjen.
Kreu i këshilltarëve të djathtë njëkohësisht edhe kryetar i PD Fier, Luan Barçi në një takim me banorët e Verrisë ka pohuar se kryebashkiaku Subashi duhet të sqarojë çështjen e landfillit. “Kryesore në ngritjen e këtyre impiante është pyetja e komunitetit. Komuniteti nuk është pyetur fare, por është bërë në mënyrë arrogante vendimi i këshillit bashkiak nga anëtarët e mazhorancës”, tha Barçi.
Kryetari i PD Dega Fier, dhe njëkohësisht dhe kryetari i grupit të keshilltarëve të djathtë, Luan Baçi, e vlerësoi jashtë njerëzores vazhdimin e mbledhjes së radhes kur jashtë, përpara dyerve të bashkisë, qytetarët po protestojnë për një kauze të drejte, kundër vendimit për ndërtimin e impjantit, që u miratua pikërisht nga ky këshill me votat e mazhorancës.
Kreu i PD të Fierit shprehet se në protestën e djeshme pranë banorëve kanë shkuar edhe këshilltarët e djathtë. “Banorët protestojnë kundër ndërtimit të impiantit të mbetjeve pranë qendrave të banuara! Pranë banorëve kanë shkuar dhe këshilltarët e djathtë të këshillit bashkiak, pasi bojkotuan mbledhjen e radhës së këshillit duke u bashkuar me zërin e banorëve, me kauzën e tyre se qytetarët janë parët”, shprehet Baçi.
Banorët vijojnë protestat prej disa ditësh, ndërsa kërkojnë ndalimin e ndërtimit të impiantit të plehrave, pasi rrezikon jetën e tyre. Banorët thonë se, protestat e tyre do të vazhdojnë derisa të mos ndërtohet impianti i përpunimit të plehrave jo në Verri, por as në Myzeqe. Ata u shprehën se kreu i Bashkisë së Fierit Subashi u kishte premtuar se do t’i proste në një takim, por tani u ka mbyllu dyert dhe nuk lejon bisedime me banorët.
Ndërtimi i impiantit të mbetjeve është kundërshtuar edhe nga PD e Fierit. Më parë, impianti i mbetjeve në Fier ishte planifikuar të ndërtohej në fshatin Portëz, por banorët e kundërshtuan këtë ndërtim në zonën e tyre, sikurse banorët e Mbrostarit, të cilët kanë dy muaj që kundërshtojnë impiantin me protesta.

Artikulli paraprakRritet numri i vrasjeve për drogën, gjendet një tjetër kufomë në bregdet
Artikulli tjetërKreu i Antimafias italiane: Droga është shtuar, flasim për tonelata