Banorë të Unazës së Re, të mbështetur edhe nga ish-deputetët e opozitës, po protestojnë para Gjykatës së Apelit në Tiranë, atje ku pritet të nisë seanca lidhur me vlerësimin e masës së sigurisë ndaj 3 qytetarëve të arrestuar pas protestave në zonën e Astirit.
Banorët që vijojnë të qëndrojnë në burg janë Ilir Katiraj, Gramoz Shehu dhe Skënder Doda.
Ish-deputeti Klevis Balliu tha se arrestime të tilla janë një nga arsyet që nuk lejojnë hapjen e negociatave.
“Protestat kanë qenë të ligjshme. Pse arrestohen dhe mbahen në burg vetëm 3 persona, ndërkohë që në protestë ishin qindra persona”, tha Balliu.
Sipas tij, kjo masë është në shkelje totale të ligjit, pasi protestat ishin njoftuar zyrtarisht.
“Shkaku që këta persona u arrestuan dhe mbahen në burg, ka vetëm një shkak: urrejtja personale që ka Edi Rama”, tha Balliu.
Ndërkohë, banorët që po protestojnë në shenjë simbolike janë lidhur me zinxhirë, ndërsa janë hedhur brohoritje kundër Edi Ramës, duke e cilësuar qeverinë e tij si të krimit.