Naftëtarët e Ballshit vijojnë grevën e urisë pasi nuk kanë një reagim nga qeveria për pagat e pamarra prej disa muajsh dhe për rifillimin e punës. Kjo është dita e 13 ndërsa dhjetë grevistë vijojnë të jenë të ngujuar brenda uzinës.
Në hyrje të portës është vendosur pankarta “Uzina e jona, duam lekët tona”. Ndërkohë, në mbështetje të grevistëve kanë ardhur naftëtarë të tjerë që qëndrojnë jashtë dhe cdo moment shtohen.
Ndërkohë gjendja e tyre shëndetësore është e rënduar. Kujtojmë se ditën e djeshme, kreu i sindikatës Sokol Dautaj ka pasur luhatje të tensionit duke e detyruar të shkojë drejt spitalit me mjete private, pa pranuar ndihmën e stafit mjekësor në mjediset e grevës.
Sokol Dautaj u është drejtuar protestuesve me autoparlant duke u thënë se do të qëndrojnë deri në fund. “Do të sakrifikojmë deri në ditën e fundit”, është shprehur ai.
Situata e protestës së sotme duket se do të përshkallëzohet. Pas grumbullimit para rafinerisë së naftës, naftëtarët kanë deklaruar se do të bllokojnë rrugën kryesore që lidh Ballshin me Fierin. Sipas raportimeve, ata po nisen drejt qytetit të Ballshit.
Naftëtarët kërkojnë zgjidhjen e problemit të tyre që ka të bëjë me pagat e prapambetura dhe rikthimin e punës në rafineri.