Shëndetësia mbetet një nga sektorët më problematikë në Shqipëri, ku çdo ditë raportohen skandale jo vetëm mbi kushtet në të cilat ndodhen qendrat shëndetësore dhe ato spitalore, por edhe me mungesën e vazhdueshme të medikamenteve. Dje në QSUT ndodheshin në radhë dhjetëra qytetarë të ardhur edhe nga rrethe të ndryshme të vendit për të marrë ilaçet me rimbursim, pasi kanë ndryshuar procedurat. Pas këtyre ndryshimeve, një i sëmurë kronik, zemër, diabet, veshka etj… duhet të rrijë në radhë të gjata së pari, për një numër pastaj do të presë sërish kur t’i caktohet vizita nga mjeku.
Pacientët shprehen të irrituar nga këto ndryshime procedurash. Sipas tyre, para një viti brenda 20 minuta mbaroje procedurën, dhe nuk kishte nevojë të vinte i sëmuri, ndërsa tani duhet të jetë se s’bën. “Të bie infarkt para se të marrësh ilaçet. Përditë ka radhë të gjata. Më parë vije i merrje menjëherë, pasi shkoje te mjeku i familjes. Ndërsa tani duhet të rrishë në radhë me ditë të tëra dhe vështirë të mbarosh punë”, thotë një grua e moshuar që vuan nga zemra.
Pak ditë më parë u denoncuan raste pa fund të mungesës së medikamenteve që kurojnë fëmijët e sëmurë me kancer. Prindërit dhe të afërmit e fëmijëve shprehen se këto medikamente përveç faktit se janë shumë të shtrenjta dhe që blihen në farmaci, rezultojnë se janë edhe të pakontrolluara.
Nëse kjo është e vërtetë, do të thotë se këto lloj medikamentesh hyjnë në vendin tonë pa iu nënshtruar kontrolleve, çka do të thotë se janë kontrabandë. Por kontrabandën nuk mund ta bëjë thjesht një farmaci, aq më tepër kur bëhet fjalë për kura me medikamente që shkojnë deri në disa milionë.
Një tjetër preparat që mungon dhe që është denoncuar është Ketosteril, i cili përdoret nga pacientët që kurohen nga veshkat. Një ilaç mjaft i shtrenjtë që rimbursohet nga shteti, por me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë ky medikament sot nuk iu jepet të sëmurëve, por ju është servirur një tjetër zëvendësues që pretendohet se është më i mirë.