Revolucion deri në përmbysjen e klikës Rama

Sali BERISHA

Në këtë seancë shqiptarët panë ‘kreun e të gjithave’ në Shqipëri, që ka ndërmarrë nga pozitat e injorancës totale e të dështimit të plotë, të zhulit e të injorancës, një sulm frontal kundër elitës së kombit. Kjo që po zhvillohet në Shqipëri është replikë e kohërave më të zeza të këtij vendi. Kohë kur xhahilët, vulgarët, kriminelët morën pushtetin dhe iu përveshën me egërsinë më të madhe elitës kombëtare. Në aktet e para që ka bërë, do t’i marrë hua fjalën Petrit Vasilit, ky i keqshkolluar apo i pashkolluar, ishte beteja me arsimin e vendit.
Asgjë nuk ka më të vështirë për një komb, më jetike se sa sistemi arsimor. Asgjë ska më delikat. Por, siç dëshmon Pisa, në dy vlerësimet e saj ky sistem nisi ngjitjen, pavarësisht se injorantët këtu pas meje, Noriega dhe ndrikull Nikolla, që nuk dinë të lexojnë Pisën dhe nuk dinë për ç’periudhë shtrihet ky studim, dolën e tundën ‘Eureka’ se fituam, po kur e panë se ishte e periudhës së mëparshme, heshtën dhe e mbyllën gojën e nuk cituan më Pisën. S’kanë asgjë të përbashkët me arsimin, me shkollën, me inteligjencën.
Me një urrejtje patologjike atërore është vërsulur këto ditë kundër universiteteve.
Me atë ligj që ky mburret ka vendosur për fëmijët tuaj tarifat më të larta të kontinentit europian, në proporcion 3 deri në 7 herë më të larta se në çdo vend tjetër, ndërsa pa proporcion janë tarifat më të larta se çdo vend tjetër të kontinentit përjashtuar këtu Britania e Madhe. A e dini ju se, me ligjin që bëri paratë e taksave tuaja ua kalon universiteteve që i sjellin eurot me çanta në zyrë. Ai prej 5 vitesh ka ndaluar doktoraturat në universitetet publike dhe ato vazhdojnë pa asnjë ligj në universitetet private, vetëm se ndajnë nga 8 mijë euro për copë qeveritarët tuaj me universitetet e klientelës, me Universitetin “Kristaq Rama” dhe universitetet e tjera.
Pasi dështoi të emërojë rektorin me sikarët e tij, shullazët e tij, shkoi dje dhe foli me gjuhën e Shullazit para trupës akademike të universiteteve. Edhe Shullazi do ta kishte lakmi gjuhën që përdori para pedagogëve. Kjo sepse janë tenderat që duhet të bëjë universiteti dhe tani me Mynyr Konin s’bëjnë dot pazare, si me atë zonjën që kishte bërë takime dhe pazare paraprake për tenderat e universitetit. Dhe o burra tani të shkatërrojnë Universitetin Publik të Tiranës se ai është universiteti me nr më të madh të studentëve dhe duhet që universitetet e klientelës, Universiteti “Kristaq Rama” dhe universitete të tjera satelite, të jenë ato që do marrin fondet dhe këta të ndajnë së bashku me ta paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo është beteja që zhvillohet me universitetin.
Korrupsioni është më i madh se mali i Dajtit. Të quash universitetin fundin e bishtit të kavallit, tregon gjuhën e një ordineri. O urrejtës që ke vetëm veten shok. Mediat për ty janë kazan, universitetet bisht kavalli, artistët s’dinë çkërkojnë. Dëgjoje këtu të të them një fjalë. Ka qenë një Petro Koleka. Një i çmendur që sillej nga Vlora në Himarë, ai ka qenë gjyshi i tij (Ramës). Shkoni pyesni pak në Breg për të. Njeriu që del e sulmon çdo gjë, ky ka rrjedhur, ky jo ka rrjedhur, po ka luajtur dhe është çmendur fare. Ngrihet dhe u thotë artistëve se nuk dinë ç’kërkojnë dhe thotë se nuk ka më keq se sa kur artisti kërkon mbështetjen e shtetit. Po na thuaj si i çove ti ato shkarravinat e tua në bienalen e Venezias. Pa na thuaj pak kush t’i çoi ty atje, pa na thuaj pak çfarë të thanë kritikët ndërkombëtarë. Ata të turpëruan në mënyrën më solemne, zhgarravinat e tua u cilësuan si zhgarravina të një adoleshenti të droguar. Pra në zhgarravinat e tua gjetën drogën brenda. I ftoj mediat të nxjerrin shkrimin e gazetës italiane dhe të dy kritikëve të artit që i quajtën vizatimet e tij si zhgarravina të një adoleshenti të droguar. A e dini ju që diagnozat psikike bëhen nëpërmjet vizatimeve apo shkrimeve, ato janë një nga më kryesoret që analizohen për të diagnostikuar një të droguar dhe një të sëmurë.
Ky bën betejën e dështakut me suksesin. Ata artistë pa diskutim që nuk janë në perfeksion, por ka prej tyre që janë artistë vërtet të mëdhenj. Sigurisht që kanë bërë diskriminime. A e dëgjuat ju zonjën Bisha që tha se, akti i parë që bëri më hoqi pjesën, ai që ndan paratë me vëllain e ministres dhe shkon i lë të gjitha në bixhoz (Çuli). Po të çosh drejtor të atillë natyrisht talentet do trysnohen. Po kush ta ndërtoi atë studion ty nën Kryegjyshatë? Me çfarë parash? Po kush ta ndërtoi Surrelin ty? Me çfarë parash e ndërtove Surrelin? E dini që janë 315 gardistë të angazhuar për të ruajtur fshatin Surrel? A e dini se si hajnë të shkretët? Hajnë në stola, s’kanë ku rrinë, por vetë jeton në saraje ky. Vetëm xhami i tavanit i ka kushtuar 170 mijë euro se është super-special. 70 mijë euro ka bërë vetëm pigmenti i bojës së vilës. Një batalion policie ruan rrugën nga Surreli deri në Kryeministri. Se burrë më frikacak, bota ska më të madh se këtë. E patë vetë që u fut në vrimën e miut. Ndaj lëri ato, s’mund të gënjesh t’i artistët. Aty ke parashikuar kullën 45 katëshe. Ke parashikuar të marrësh për vete nja 4-5 kate të mira njëherë. Po lufton dhe ndrikulla të marri diçka, siç thonë qytetarët. Të vërtetat këto janë, ja u tha juve zonja Tabaku. 178 milionë euro iceneratorë, të gjitha vjedhje dhe vetëm vjedhje prej të paktën 130 milionë. Me cilin? Me Hermesin e tij, i cili pasi vodhi shkoi të ndërtonte strehim politik në Rumani (Ahmetaj). Ky zotëri arrin të bëjë 9 akte në një ditë. Po pse? Sepse absolutisht i paguan këtij këtu (Ramës) të paktën gjysmën e atyre që vjedh se përndryshe s’bën dot kurrë 9 akte në një ditë. Do t’u lutesha shumë atyre parlamentarëve britanikë t’ja u përçojnë atyre kolegëve të këtyre këtu, këtë kërkesë timen: Nëse doni miq dhe kolegë, nëse doni një kryeministër që bën 9 akte në një ditë shkoni se e keni bashkë me ministrin e tij në Tiranë, se vetëm aty ndodhin këto dhe bëjnë vaki.
Ndaj dhe kjo që po ndodh është një betejë kundër elitës kombëtare, një betejë e narko-shtetit kundër atyre që s’duan drogën, por duan ligjin, një betejë e dështakut kundër atyre që s’duan suksesin. Teatri Kombëtar është një simbol kombëtar dhe është për çdo vend të qytetëruar një institucion shumë i rëndësishëm, atë do që ta shkatërrojë. Universiteti publik është një institucion kombëtar edhe këtë do që ta shkatërrojë. Që të gjitha për të mbushur xhepat e tij, dhe kjo është një arsye tjetër, një thirrje për të gjithë shqiptarët, që të vazhdojmë revolucionin deri në përmbysjen e kësaj klike, e cila nuk ka interesa kombëtare, por ka interesa kriminale dhe të pasurimit të saj.

Rama i dha Besos edhe fushën e gazit në Delvinë, 10 milionë euro vlera

Strategjia e Sali Berishës nuk është kurrë ajo që bën ky me ARMO-n, me Besnikun e tij. 5 ditë pasi ka dorëzuar qeverinë Sali Berisha tek ARMO është vendosur një firmë, dhe ajo është Besnik Sula. Dhe kush u dërgua tek ARMO? Tek ARMO u dërgua don Agaçio, Engjell Agaçi, i plotfuqishmi i Edi Ramës. Dhe pasi vodhi mirë e mirë, i mbushi valixhet i solli, u kthye plenipotenciario, Sekretar i Përgjithshëm pothuajse kryeministër de facto se ky (Rama) vetëm kryeministër s’bën se s’merr vesh fare as nga ligjet e as nga ekonomia, di vetëm të vjedhë. A e dini ju deputetë të Fierit dhe Mallakastrës, që u krijua dhe një kompani tjetër. Po kush ishte menaxheri saj? Ishte Sulo bis, binjaku i Besnik Sulos. Njëri mori ARMO-n e Ballshit tjetri mori ARMO-n e Fierit. Vidh e vidh nuk kanë të sosur. A e dini ju se përpunohej nafta e ARMO-s dhe Besnik Sulo s’paguante asnjë qindarkë. Pra shko në mulli, bluaj miellin dhe thuaji mullixhiut që s’të paguaj asnjë qindarkë. A mund të besohet kjo? A keni ju ndërgjegje njerëzore? Iu dha fushën e Delvinës, me një emër tjetër, me 10 mln, fusha më e madhe e gazit. A e dini ju pastaj çfarë ndodhi pas 2015? Erdhi serxhent Henry i tretë, shkoi vrapo Peleshi, vrapo Gjiknuri për ta paraqitur si shpëtimtarin, që në fakt çfarë ishte ai? Ishte një emër që zgjodhi përsëri vëllain e Besnik Sulës si përfaqësues të tij në Shqipëri. A e dini ju që ARMO-s, me urdhër të këtij Besnikut që kam këtu mbrapa, u shitën mbi 225 mijë ton naftë, u shitën gjithsej me një çmim që shkon në total 23 milionë dollarë më pak se sa ç’ofronte Bankers apo Bursa, dhe me urdhër të këtij iu shitën Besnik Sulës”, tha Berisha.

Vendi po degradon me shpejtësi të madhe

Berisha replikoi ashpër dje me kryeministrin Rama në lidhje me planin skandaloz të shkatërrimit të teatrit, aferën me inceneratorët si dhe vjedhjet prej miliona euro përmes koncesioneve në të gjithë vendin. “Kur ishe ministër i pseudo-kulturës mbushje xhepat duke zënë sallat e Teatrit me ruletat e bingove dhe të bixhozit. I ke të dokumentuara. Përsa i përket investimeve për kulturën, ke mbushur xhepat. Por investimet në periudhën e qeverisë së kaluar kanë qenë të paktën tre herë më të mëdha se sa ç’janë sot. Si për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e cila po degradon çdo ditë në të katër anët e vendit, po shemben monumentet e pavdekshme të kohërave të lashta, të braktisura, të një vendi që ska shtet, të një lukunie që përpiqet të vjedhë dhe të nxjerrë paratë kudo për të mbushur xhepat. U fol këtu gjërësisht për djegësat, inceneratorët. Cili ishte argumenti?! Strategjinë e ka bërë Sali Berisha u tha. Strategjia nuk shkruan në asnjë rresht që të vjedhin. Strategjia e Sali Berishës shkruan që t’u jepet përgjigje e merituar problemit të plehrave. Strategjia e Sali Berishës nuk shkruan në asnjë fjalë, se për të vendosur inceneratorin duhet të mos shpallim tender, por duhet të zgjedhim kompaninë e Klodian Zotos. Stategjia e Berishës nuk shkruan në asnjë rresht që pasi të kompletohet prokurimi dhe tenderimi brenda një dite me 9 procedura, me 28 milionë të shitet me 13 milionë dhe 14 milionë të futen në xhep siç ka ndodhur me Elbasanin. Strategjia e Sali Berishës nuk thotë kërkund, në asnjë paragraf se mund të sillen makineri jashtë çdo standardi, se mund të sillen impiante të viteve ‘70 për të helmuar qytetarët e Elbasanit. Nuk thotë në asnjë vend që ajo të mos vizitohet një vit rresht se e kemi në prova. Strategjia e Sali Berishës thotë të instalohet aty ku e kemi të nevojshme brenda standardeve më të larta mjedisore. Strategjia e Sali Berishës nuk thotë kurrë që ortaku i ministrit të fitojë tre tenderat e inceneratorëve. Ku e ke të shkruajtur ti këtë? Ska kod që e shkruan këtë, por vetëm ju vidhni e që nuk ngopeni kurrë! Vetëm ju mund të bëni një akt të tillë. Strategjia e Sali Berishës nuk thotë kurrë që hiqen nga ndihma ekonomike me dhjetëra e mijëra shqiptarë dhe u thuhet merrni rrugët e botës se në këtë vend s’keni jetë. I dhatë pesë milionë euro për t’i derdhur në fushatë elektorale pa bërë asnjë punë, asnjë metër asfalt, asnjë buldozier. Cila strategji e thotë këtë? Këtë e thotë strategjia e hajnave dhe hajdutëve. Po ska strategji qeveritare në botë që e thotë një gjë të tillë. Strategjia e Sali Berishës nuk thotë kurrë që tenderin që bëre për Fierin, 25 milionë, ta shesim brenda javës për 200 mijë lekë të vjetra. Ku e keni parë këtë strategji ju? Ky po ju fundos ju në fund të detit. Nëse e duroni dhe e mbani ju qofshi. Rama është kryehajduti, këta që shihni këtu s’janë asgjë para tij, këta s’lëvizin dot qimen pa lejen e këtij, këta shkojnë derdhin paratë në zyrën e tij çdo ditë. Strategjia e Sali Berishës nuk thotë kurrë që Tirana të bëhet me fshehtësinë më të madhe dhe nga e njëjta kompani, por kësaj here jo më 30 apo 27 milionë, po me 128 milionë. Në një kohë kur, në kushte teknike inceneratori i Elbasanit mund të djegë plehrat e Tiranës, Korçës, Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë për kapacitetin që ka. Kjo është e vërteta, po këta vjedhin e vjedhin dhe nuk ngopen kurrë”.

Exit mobile version