Humbjet i përkasin lojës edhe pse dhjetë brenda një sezoni të vetëm janë shumë. Gjithashtu, pjesë e lojës janë edhe golat e pësuar, por të marrësh një si ai që shënoi Miro Klose nuk është aspak i kuptueshëm. Mund të gabosh shumë përpara porte, por kjo nuk do të thotë që të shënosh 1.3 gola për ndeshje, pasi me një mesatare të tillë nuk shkon gjëkundi. Në lojë nuk pranohet vetëm diçka… të luash ashtu siç nuk luajti Interi përballë Lacios. Sjellja e lojtarëve në fushë ka tërbuar së tepërmi Roberto Mançinin, i cili në pushimin mes pjesëve ka shigjetuar lojtarët me fjalë të forta.
“Corriere dello Sport” shkroi dje disa fraza që kishte thënë 51-vjeçari në pushimin mes pjesëve.
“Po luani një ndeshje m…, nëse do të kisha mundësi do t’ju zëvendësoja të gjithëve. Ku mendoni se jeni? Me pushime! Keni gabuar plotësisht duke zgjedhur këtë ritëm për të luajtur një ndeshje si kjo. Tregoni atributet dhe luani, jemi Interi nuk duhet të bëjmë këto figura m…”, mësohet të ketë thënë trajneri.
Për mënyrën se si Interi po mbyll këtë kampionat është e kuptueshme lëvizja e radhës e Roberto Mançinit. Mësohet se trajneri u ka kërkuar eprorëve të vet që ta ndihmojnë në atë që mund të konsiderohet “revolucioni” i dytë brenda pak muajsh në ekip. 52-vjeçari ka bërë gati listën e lojtarëve që nuk hyjnë më në planet e tij dhe gjithashtu ka përpiluar një listë tjetër ku ndodhen emrat e lojtarëve që dëshiron gjatë verës së ardhshme. Të ardhmen larg Milanos e kanë lojtarë si Tejes, Ljajiç, Santon dhe Melo.
Trajneri është në dyshim vetëm sa i përket së ardhmes së Jovetiçit (malazezi nuk e ka bindur plotësisht). Ndërkohë, Manço ka menduar edhe për ata që do t’i shërbenin kauzës zikaltër. Në sfidën kundër Lacios, 52-vjeçari ka mbetur i mahnitur nga paraqitja e Biljas dhe Kanderevës. Një tjetër lojtar që mund të afrohet në verë mund të jetë edhe Zabaleta i Sitit.
Skuadra zikaltër që ka në gjirin e saj disa lojtarë mjaft të vlerësuar, rrezikon të humbasë të paktën dy prej tyre, bëhet fjalë për argjentinasin Mauro Icardi dhe kroatin Ivan Perisiç. Dështimi i arritjes së objektivave gjatë këtij sezoni mund ta shtyjë trajnerin dhe presidentin të mendojnë për një revolucion të ri dhe stuhisë nuk mund t’i shpëtojnë as emrat më të lakuar në “Pinettina”. Mediat angleze këmbëngulin se e ardhmja e Icardit është në premier League, ku pretendentët janë të shumtë. Arsenal, Chelsea, Liverpool e Manchester United janë vënë në një garë me kohën për të marrë premtimin e argjentinasit, por fillimisht duhet të kënaqin dëshirën e Interit për të arkëtuar sa më shumë, pasi paratë do të investohen sërish në merkato për forcimin e grupit.
Arsene Wenger ka zbritur në terren, duke ofruar 30 milionë euro, por presidenti Thohir e ka refuzuar menjëherë, duke e konsideruar një shumë të ulët. Gjithsesi, dështimi i objektivit për t’u renditur në vendin e tretë mund ta komplikojë situatën e argjentinasit, i cili dëshiron të nisë një eksperiencë të re. Po nga Anglia ka ardhur një tjetër ofertë për një tjetër lojtar zikaltër. Ivan Perisiç ka tërhequr vëmendjen e Jurgen Klopp, i cili ka punuar me kroatin në vitet e para te Borussia Dortmund edhe pse e la të lirë të bashkohej me Wolfsburgun. “The Reds” ka gati 30 milionë euro dhe ditët e ardhshme janë vendimtare për të ardhmen e lojtarit, pasi Interi ka kërkuar kohë për të vlerësuar ofertën në fjalë.