Revolucion tek Manchester City

Te Manchester City ka nisur një revolucion i vërtetë. Pas largimit të mbrojtësit argjentinas Pablo Zabaleta disa javë më parë, 4 futbollistë të tjerë me emër i kanë dhënë zyrtarisht lamtumirën skuadrës së Pep Guardiolës. Të gjitha rrugët të bëjnë të mendosh se ky do të viti zero për Citiziens, me Sky Blues që do të nisin gjithçka nga e para edhe pse në timon do të kenë sërish Pep Guardiolën. Trajneri spanjoll pritet të bëjë shumë ndryshime në skuadër për sezonin e ri, pasi në edicionin 2016-2017, City dështoi të fitonte qoftë edhe një trofe, duke zhvilluar një sezon të dështuar, i cili u bë më pak i dhembshëm vetëm falë kualifikimit direkt për në fazën e grupeve të Champions League, për edicionin e ardhshëm.
Zabaleta ishte vetëm i pari në listën e largimeve, ose më saktë skarcimeve që po bën Guardiola për të ndërtuar një skuadër shumë më të fortë. Disa ditë pas argjentinasit nga Citiziens janë larguar zyrtarisht, dy mbrojtësit e krahut Gael Clichy dhe Bakary Sagna, por dy francezët nuk janë të vetmit sepse edhe spanjolli Jesus Navas dhe portieri argjentinas Willy Caballero, i cili luajti si titullar në gjysmën e dytë të këtij sezoni, i kanë dhënë lamtumirën Manchesterit. Të 4-t këta futbollistë tashmë janë lojtarë të lirë në treg dhe mund të firmosin me atë skuadër që do të dëshirojnë.
Mbrojtësi francez Gael Klishi nuk do të jetë më pjesë e Manchester City-t për sezonin e ardhshëm. Lajmi është bërë publik nga vetë klubi nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare. Nuk ka munguar as komenti i mbrojtësit në lidhje me largimin pas aventurës 6-vjeçare te “qytetarët”. “Ishin 6 vite vite të veçanta, një udhëtim i pabesueshëm. Unë jam krenar që kam qenë pjesë e këtij klubi”, ishin fjalët e Klishisë pas divorcit.
Ndërkohë, mbrojtësi argjentinas, Pablo Zabaleta ka gjetur menjëherë skuadër, pas largimit nga Manchester City. Zabaleta ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me skuadrën tjetër të Premierligës, West Ham United. “West Ham është krenar dhe i lumtur t’ju njoftojë se Pablo Zabaleta është lojtari i parë që nënshkruan me klubin këtë verë”, thuhet në njoftimin e skuadrës së West Hamit.
“Lojtari i dekoruar dhe me shumë përvojë ka nënshkruar kontratë dyvjeçare, e cila hyn në fuqi nga 1 korriku, atëherë kur skadon kontrata e tij me City-n”. Ndërsa Zabaleta në anën tjetër ka thënë se është shumë i lumtur dhe krenar që do të luajë për West Hamin dhe shpreson se do të arrijë të fitojë tituj.

Exit mobile version