Revolucioni po i afrohet PSG-së

Në Francë, tashmë po mendojnë për ndryshimet që PSG-ja i ka të domosdoshme për t’u përballur në të ardhmen me objektiva madhorë, që i tejkalojnë garat kombëtare. Liga e Kampionëve ishte “stacioni” dhe llogaria në pritje e një ekipi, që praktikisht “ecën, por nuk vrapon”, nëse shprehemi metaforikisht, në garat e brendshme. Pas përforcimeve stratosferike, kompeticioni madhor për klubet në Europë ishte sfida e vërtetë. Një sfidë, në të cilën ekipi parisien i është nënshtruar ndryshimit të parë në një sezon, që nuk e ka “thyer tavanin” e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Ekipi nga “Parc des Princes” nuk ishte në gjendje të kapërcente katër vitet e mëparshme. Ndoshta së shpejti do të flasim për nënshkrimet e reja, ndërkohë që në edicionin e saj të së enjtes, “Le Parisien” vë në dukje disa lojtarë, të cilët pritet të largohen nga PSG-ja përpara nisjes së projektit të ri. Duke filluar nga prapa, gazeta franceze tregon Dani Alves, për të cilin thotë se “intensiteti i tij nuk është i mjaftueshëm për të kompensuar ndikimin e tij teknik”. Madje, e konsideron atë një pengesë për përparimin e Meunierit. Largimi i tij shihet disi i ndërlikuar, gjithsesi, sepse kontrata e mbrojtësit brazilian skadon në vitin 2019 dhe mbi të gjitha, predominon afeksioni që ka me Neymar. Në anën tjetër, mbrojtja paraqet nevoja për një ndryshim të plotë, teksa Kurzawa dhe Yuri Berchiche nuk janë më të besueshëm.

Me Neymar dhe Mbappé si ikona të reja të PSG-së, mund të jetë koha për t’u dhënë atyre statusin e yjeve të ekipit. Cavani, Verratti, Di Maria dhe Pastore mund të marrin një shtysë për largimin e tyre dhe në të njëjtën kohë të kontribuojnë me një shumë të mirë financiare në sasinë e transferimeve, që PSG-ja do të bënte mirë për të balancuar llogaritë e veta nën kushtëzimin e “fair play financiar”. Lojtari i fundit i emëruar si largim nga “Le Parisien” është Rabiot, shumë i vlerësuar, të cilin e shohin edhe si kapiten të mundshëm, por pretendimet e tij ekonomike për të zgjatur kontratën pas vitit 2019 mund të pengojnë vazhdimësinë.
Përveç lojtarëve, një tjetër, nga ata kryesorët, i evidentuar si fajtor për eliminimin nga Champions-i, është drejtori sportiv, Antero Henrique, figurës së të cilit “Le Parisien” i kushton një artikull të plotë. “Peshku i kalbur qelbet nga koka”, fillon ky shkrim. Henrique akuzohet se nuk është në gjendje të marrë hapin që presidenti Nasser al-Khelaifi i ka dhënë në përfshirjen e përditshme në klub. Po ashtu, i qortohet për trajtimin e kundërshtive të tilla si konflikti Cavani-Neymar, ose leja e brazilianit për të udhëtuar në vendin e tij në dhjetor.

Exit mobile version