Tani që përmes blerjes masive të votave ia doli të krijojë shumicën e ëndërruar, Rama ka nisur të hartojë listën e gjatë të ligjeve klienteliste që do të kalojë në Parlament. I pari që pritet të miratohet është i shumëdebatuari ligji për importin e mbetjeve, ku Rama, vetëm dy ditë më parë në një intervistë për një media franceze pranoi se ligji i mbetjeve do të miratohet. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara. Rezoluta e përgatitur vitin e kaluar, në emër të Këshillit të Ministrave ka shprehur rezerva të forta përsa i përket rikthimit të importit të plehrave. Kjo rezulton nga një rezolutë e fillimgushtit të 2016 përmes së cilës, qeveria jep mendimin e saj për ligjin e propozuar nga 3 deputetë të majtë. Relacioni, i cili nuk është bërë publik nga 3 propozuesit e ligjit gjatë fazës së diskutimeve, thekson se një prej rreziqeve kryesore ka të bëjë me vetë tregun e ricklimit të mbetjeve dhe mundësinë që mosrespektimi i kontratave ta kthejnë Shqipërinë në vend grumbullimi të disa milionave mbetjesh shtesë. Ja çfarë thotë Këshilli i Ministrave për këtë: “Financiarisht, ekziston një rrezik që duhet marrë parasysh, rreziku i tregut. Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e eksporteve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin miliona kg mbetje të importuara shtesë”. Një nga arsyetimet përmes së cilave Kryeministri Rama ka mbrojtur rikthimin e importit të plehrave, të cilin 4 vjet më parë e ndali po vetë, ishte rreziku i falimentimit të industrisë së riciklimit. Shpeshherë Kryeministri theksoi se, investimet e kësaj industrie rrezikonin të shkonin dëm, pasi fabrikat po punon vetëm nga dy ditë në javë. Por vetë relacioni i Këshillit të Ministrave për çështjen në fjalë e hedh poshtë këtë pretendim, duke nënvizuar se pjesa më e madhe e tregut të brendshëm të mbetjeve ende nuk ishte shfrytëzuar. “Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e eficencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386.728.650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17% e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83% e mbetjeve është ende në treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit”. Këto objeksione të forta që vetë Këshilli i Ministrave shprehte ndaj ligjit për importin e plehrave i përkasin fillimit të muajit gusht 2016. Pak javë më pas, më 22 shtator 2016, shumica e majtë aprovoi këtë import, duke injoruar totalisht këto vërejtje që vinin nga qeveria. Si për ironi, një pjesë e ministrave, bashkë me Kryeministrin, dolën në mbrojtje të këtij importi, pa shpjeguar se çfarë kishte ndryshuar në diçka më shumë se një muaj. Asgjë, duket të jetë përgjigjja e një pyetjeje retorike. Male të mëdha me mbetje, me plehra, që ndosin zonën dhe e bëjnë të pamundur jetën aty afër, gjenden kudo në Shqipëri. Këto male me plehra rriten çdo ditë, sepse nuk përpunohen, nuk riciklohen. E megjithatë, Edi Rama ka vendosur që këto grumbuj të rrezikshëm me mbetje t’i shumëfishojë duke sjellë edhe nga Europa, gjoja për të mbajtur gjallë industrinë ricikluese. Ndërkohë, më shumë se 80 për qind e mbetjeve shqiptare nuk riciklohen.
Importi i mbetjeve, një çështje e refuzuar në mënyrë masive
Aleanca kundër Importit të Plehrave ka shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj, ndërsa thekson se nuk është respektuar dekreti i presidentit. AKIP gjykon se importi i mbetjeve është një çështje e refuzuar në mënyrë masive nga qytetarët e këtij vendi, jo vetëm me sondazhe me mbi 90% të popullsisë, por dhe me 65000 firma referendare dhe me protesta të vazhdueshme. Ndaj ata gjykojnë se amendimet Shalsi duhet të rrëzohen si të papranueshme. Nga ana tjetër, Qendra e Studimeve të Burimeve Natyrore thekson se janë njësitë vendore ato, të cilat duhet të ndërmarrin fushata informuese për ndarjen e mbetjeve në burim. Lidhur me ndarjen e mbetjeve të riciklueshme, që është edhe një nga objektivat e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, duhen zbatuar forma më praktike, në kushtet e favorshme të krijuara nga ndarja e re administrative-territoriale, vendosja e administratorëve të pallateve dhe administrimi me bordin e banorëve dhe rolit që do të luajnë në komunitet bordet e zgjedhura të pallateve. Po ashtu sipas kësaj qendre, mbetet shqetësuese çështja e ngritjes së inceneratorëve.