Udhëheqësit kurdë njoftuan për disa suksese të arritura gjatë ofensivës tokësore që filloi të hënën nga forcat irakiane. Ofensiva ka për qëllim marrjen e kontrollit të qytetit verior të Mosulit nga militantët e Shtetit Islamik.
Që nga ora 6 e mëngjesit sipas orës lokale, “200 kilometra katrore janë çliruar nga Shteti Islamik”, tha presidenti kurd, Masoud Barzani, gjatë një konference shtypi të transmetuar me televizion.
“Mosuli ka për t’u çliruar”, tha Barzani, duke shtuar se luftëtarët e tij janë duke bërë më të mirën për të mos lejuar që qyteti të shndërrohet në një “tjetër Aleppo”, duke iu referuar qytetit sirian të përfshirë për një kohë të gjatë nga luftimet.
Fushata e parashikuar prej një kohe të gjatë është operacioni më i madh ushtarak në Irak, që pas largimit prej andej të forcave amerikane, 5 vjet më parë dhe ka shqetësime lidhur me sigurinë e qindra mijëra civilëve në rajon.
Në operacion janë përfshirë forca të shumta: luftëtarë kurdë, policë federalë, luftëtarë nga fiset suni, krahas me sulmet ajrore dhe mbështetje me mjete të tjera nga koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, që prej dy vjetësh është duke luftuar me ekstremistët e Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri.
Zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar operacionin “një moment vendimtar” në fushatën kundër Shtetit Islamik, që ka pësuar humbje të njëpasnjëshme dhe që është kufizuar kryesisht në rajonin e Mosulit në Irak. Por ata janë shprehur se operacioni mund të zgjasë për javë me radhë, madje edhe më gjatë.
Për të paralajmëruar banorët, para fillimit të ofensivës, forcat ajrore irakiane hodhën mijëra fletushka në Mosul.