Nga Ergys Mërtiri
Kur 3 vjet e gjysëm më parë Berisha nisi foltoren për të marrë PD-në kam qenë i sigurt se kjo do të ishte katastrofë për opozitën. I kam dalë kundër që ditën e parë kësaj aventure, pasi, siç edhe e kam thënë e shkruar asokohe, jo vetëm që nuk do ta shpinte kurrë opozitën në fitore, por përkundrazi, do ta zhyste PD-në në një rrugë pa kthim drejt shndërrimit në një garnizon të mjerë militantësh agresivë që i gafurren gjithë botës në mllef e dëshpërim për pamundësinë e thellë për të qenë konkurrues.
Rezultati i sotëm nuk ma përkëdhel aspak sedrën e bastit të fituar, pasi ky lloj basti është, së pari shumë i parashikueshëm, dhe së dyti, kurrsesi i urueshëm, për pasojën që sjell. Për më tepër, jam i qartë që rezultati nuk do të sjellë as reflektim dhe shumica e atyre që humbën do vazhdojnë ti bien murit me kokë.
Kjo është natyra e militantit. Sa më e fortë të jetë goditja që ha, aq më shumë këmbëngul tek e vetja. Kjo është arsyeja pse sot, shumë prej tyre duken akoma edhe më të vendosur në mbrojtje të Berishës, dhe akoma edhe më agresivë e histerikë kundër atyre që thonë të vërtetën për të.
Të keqen e të verbërve! Një dijetar thoshte dikur se dijen e mësoi prej tyre: ata nuk e hedhin kurrë një hap pa testuar tokën mirë me këmbë nëse ka ndonjë pengesë. Militanti është nga ata lloj të verbërish që vrapon i sigurt drejt murit dhe nuk ndalet as kur thyen kokën pas tij.
Pikërisht, ky është ustallëku i Berishës. Duke ua njohur fort mirë kokën, i përdor e manipulon ata si ti vijë për mbarë, i bindur se nuk do ta zhgënjejnë kurrë.
Kur Berisha propozoi në statut nenin Basha, një sanksion që shkarkon automatikisht kryetarin e partisë në rast humbjeje, pavarësisht nëse zgjedhjet janë të grabitura, dikush mund ta ketë ngrënë karremin duke besuar se ai e ka zeriozisht, sepse do përballet me këtë vendim sapo të vijnë zgjedhjet. Në fakt, ai e ka ditur më mirë se kushdo se asnjë problem nuk do ketë për ta shkelur atë çfarë vetë ka premtuar e sanksionuar në sy të të gjithë shqiptarëve. Sepse ai i njeh shumë mirë krijesat e veta dhe i manipulon si të dojë.
Sot në PD, jo vetëm që askush nuk i kërkojnë zbatimin e statutit, por kush e përmend këtë shihet si tradhëtar që i shërben Ramës duke penguar “luftën për votën e lirë”.
Para zgjedhejve, shumë berishistë (përfshi këtu edhe miq të mi) më thonin se, duke mbështetur partitë e reja po coptoja votën e opozitës e për rrjedhojë po ndihmoja Ramën. Unë iu thoja se partitë e reja vetëm i shërbejnë opozitarizmit, sepse:
1. Nxjerrin në zgjedhje edhe votues që nuk do votonin kurrë për Berishën, çfarë rrit në tërësi votat kundër Ramës.
2. Krijon premisën për largimin e Berishës dhe reformimin e PD-së, çfarë është e vetmja mënyrë që mund të sjellë përmbysjen e Ramës. Në kushtet kur Berisha nuk fiton dot, vota për të vetëm sa i zgjat jetëgjatësinë pengmarrjes së PD-së, e për pasojë zgjat jetëgjatësinë e Ramës në pushtet.
E megjithëse rezultati i zgjedhjeve provoi se Berisha nuk kish asnjë shans për të fituar (ndërkohë që vendi humbi një shans për ti hapur rrugë rinovimit të opozitës duke e dërguar Berishën në pension), sot askush nga militantët e tij nuk del të dhotë se kanë gabuar. Përkundrazi, shumica prej tyre janë bërë edhe më agresivë e histerikë duke sulmuar e akuzuar (shpesh me shpifje nga më të turpshmet) këdo që i kërkon Berishës të mbajë përgjegjësi.
Ky është fati i pashmangshëm i një partie që nuk pranon ndryshimin. Sa më shumë humbet aq më radikale bëhet, e sa më shumë radikalizohet aq më shumë humbet. Derisa një ditë shndërrohet në një grusht njerëzish të egërsuar në luftë me mullinjtë e gjithë botës.