Më në fund lajme të mira nga infermieria për trajnerin e Realit të Madridit, Zinedine Zidane. Pas mesfushorit Luka Modriç, i cili e ka hedhur pas krahëve dëmtimin është riaftësuar edhe mbrojtësi Sergio Ramos. Sipas asaj që raporton gazeta madrilene “AS”, kapiteni i Los Blancos nuk ndien më shqetësime nga dëmtimi që pësoi në sfidën mes Shqipërisë dhe Spanjës të zhvilluar në “Loro Boriçi” rreth 1 muaj më parë dhe do të jetë gati për derbin e 19 nëntorit ndaj Atleticos së Madridit.
Përballë Los Colchoneros Ramos pritet të aktivizohet titullar teksa do të vendoset në qendër të prapavijës së Los Blancos përkrah francezit Raphael Varane. Rikthimi i kapitenit vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Realin e Madridit që gjatë kësaj periudhe ka një kalendar shumë të vështirë dhe do të luajë një pjesë të mirë të sezonit. Duke patur parasysh edhe mungesën e qendërmbrojtësit tjetër, portugezit Pepe, Ramos është i domosdoshëm për Realin në këto momente pasi në rast se 30-vjeçari i La Rojas nuk do t’ia dilte të ishte gati për derbin e Madridit, ndaj Atleticos përkrah Varane në qendër të mbrojtjes, Zidane do të ishte i detyruar të aktivizonte Nachon që atë pozicion nuk e ka rolin e tij natyral. Për dëmtimin që pësoi ndaj Shqipërisë, Ramos ka humbur 8 ndeshje të Realit përfshirë këtu 5 takime të La Ligas, 2 ndeshje në Champions dhe 1 në Kupën e Mbretit.
Nga derbi i Madridit për të vazhduar me sfidat e vështira në Champions ndaj Sportingut dhe Dortmundit e deri tek El Clasico ndaj Barcelonës, për Realin e Madridit tani vjen më e vështira. Kalendari deri në fund të këtij viti do të shërbejë për të kuptuar realisht forcën që zotërojnë Los Blancos dhe mbi të gjitha do të testojë aftësitë e trajnerit Zinedine Zidane, i cili tashmë ka një malore të lartë për të ngjitur. Gjithçka nis me derbin e 19 nëntorit ndaj Atleticos së Madridit. Reali aktualisht kryeson La Ligan, por ndryshe nga Barcelona dhe Los Colchoneros, Los Blancos nuk i kanë luajtur ende ndeshjet e vështira të fazës së parë. Në këtë kontekst sfida e “Vincente Calderon” ndaj skuadrës së El Cholos do të tregojë realisht forcën e të besuarve të Zidane. Rikthimi i Modriç është një lajm i mirë për trajnerin francez, por Reali deri në fund të këtij viti nuk do të ketë shërbimet e Toni Kroos që deri në këtë pjesë të sezonit ka qenë një lider i vërtetë në repartin e mesit të fushës.
Nga sfida ndaj Atleticos tek ajo ndaj Sportingut në Lisbonë. Pas 4 ndeshjeve të para në Champions, Reali pozicionohet në vendin e dytë, në kuotën e 8 pikëve në grup dhe me një barazim në Lisbonë do të siguronte matematikisht kualifikimin, por për të tentuar vendin e parë merenguesit duhet t’i fitojë dy ndeshjet e mbetura. Më 3 dhjetor, me përjashtim të Kroos, Zidane shpreson të ketë rikuperuar të gjithë lojtarët e dëmtuar duke filluar që nga Casemiro, Pepe e deri tek kapiteni Sergio Ramos, sepse në “Camp Nou” luhet El Clasico dhe titulli kampion në La Liga kalon pikërisht nga ai duel. 4 ditë pas El Clasicos në “Santiago Bernabeu” vjen Dortmundi në një duel që mund të përcaktojë skuadrën që do të renditet e para në Grupin F të Champions League, pozicion që nëse arrin konvertohet me një short më të lehtë në letër në raundin tjetër. Menjëherë pas sfidës ndaj verdhezinjve, Reali duhet të mendojë edhe Botërorin e Klubeve. Sa shumë ndeshje të vështira për Los Blancos në vetëm pak kohë, për Zinedine Zidane ky është momenti i të vërtetës.