Riberi është plakur

Frank Riberi surprizoi me deklaratën e tij, ku shprehej se Antoine Griezmanit i mungon vazhdimësia ndaj nuk mund të konsiderohet një top player, por vetëm pak orë më vonë, edhe sulmuesi i talentuar i Atletikos serviri replikën e tij. Griezman u përgjigj në këtë mënyrë:
“Riberi ka të drejtë në këtë aspekt, për të qenë të sinqertë, por unë jam i sigurt se jam në rrugën e duhur për t’u përmirësuar. Pastaj është e qartë se çdokush ka opinionin e tij. Për babain tim dhe për tifozët e Atletikos së Madridit jam më i miri në botë. E përsëris, kam ndërmend të vazhdoj të punoj fort. Të shohim në fund të karrierës se çfarë lojtari do të jem bërë, kam ende 10 vjet përpara”.
Nuk ishte ndërkohë kaq diplomatike replika e presidentit të Atletikos së Madridit, Enrique Cerezo, i cili siç pritej u hodh në mbrojtje të Griezman që nuk u kursye aspak në thumbat për Frank Riberi, duke i kujtuar atij moshën. “Riberi është plakur paksa dhe duhet t’ia falim gjërat që thotë, ka qenë një lojtar i madh”, është shprehur Cerezo.
Presidenti i Los Colchoneros veç të tjerash foli dhe për vazhdimësinë e Carascos në klub, duke deklaruar që është një futbollist i Atletikos dhe do të mbetet i tillë edhe për shumë vjet.
Frank Riberi sulmoi ashpër Antoine Griezman. Për sulmuesin e Atletiko Madrid dhe të kombëtares franceze, 2016 ka qenë një vit jo dhe aq me fat, duke humbur dy finale shumë të rëndësishme, siç ishte Champions League dhe Kampionati Europian. Pavarësisht kësaj 25-vjeçari është rikthyer sërish në formën e tij më të mirë, duke lënë pas këto dy episode të pakëndshme. Elozhet në drejtim të Griezman nuk kanë munguar nga ana e gazetarëve dhe specialistëve të futbollit, por i të njëjtit mendim nuk është sulmuesi i Bayern Mynih, Frank Riberi, i cili shprehet për bashkëkombasin e tij se, arritjet e Griezman nuk mjaftojnë për ta cilësuar atë si një futbollist shumë të mirë.
“Sipas mendimit tim, Griezman nuk është një lojtar i klasit botëror, pasi ai nuk ka pasur ecuri pozitive ndër vite, si në kampionatin spanjoll ashtu edhe në kupat e Europës. Nëse ai shfaqet gjithmonë në formë për 10 apo 15 vitet e ardhshme, atëherë unë do ta komplimentoj atë. Unë pësova një dëmtim të rëndë dhe tani që jam rikthyer jam po ai që isha para dëmtimit. Në 10 sezonet e fundit kam qenë gjithmonë mes më të mirëve”, u shpreh Riberi.
Deklarata e ashpër e Riberi mund të konsiderohet dhe një hakmarrje personale, pasi sulmuesi i Atletiko Madrid tek kombëtarja franceze mban mbi shpinë numrin 7. Ndoshta kjo nuk i ka pëlqyer sulmuesit të bavarezëve, pasi ky numër më parë i përkiste Frank Riberi gjatë kohës kur ai ishte pjesë e kombëtares së Gjelave.

Artikulli paraprak“Loro Boriçi” mbyll dyert deri në nëntor
Artikulli tjetërRiberi: Po më sulmojnë më shumë se kurrë