Richard Grenell tregon porosinë që ka marrë nga Presidenti Trump për Kosovën

I dërguari i Posaçëm i Presidentit të SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, nga selia e ambasadës së SHBA’së në Prishtinë ka folur për Gazetën Express dhe për dy media të tjera kosovare.

Grenell ka përsëritur edhe një herë përkushtimin e tij që rajoni të zhbllokohet përmes zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

Besnik VELIU
I pyetur nga Gazeta Express nëse mendon se mund ta shtyjë përpara agjendën e dialogut me Serbinë me Albin Kurtin si kryeministër të Kosovës, Grenell është shprehur i sigurt se po dhe ka thënë se është i gatshëm të punojë me çdo njërin.

Sa i përket problemeve që po has Kosova në krijimin e institucioneve të reja, Grenell ka thënë se nuk dëshiron që të involvohet në çështje politike, ndërkohë ka përmendur edhe Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë si dy shembuj të demokracive të zhvilluara të cilat kanë hasur në probleme për krijimin e qeverive.

Gjithashtu Grenell ka thënë se është i interesuar që të bind biznesmenët amerikanë dhe evropian që të vijnë për të investuar në rajon, ndërkohë ka përmendur edhe faktin se komuniteti ndërkombëtar i biznesit vazhdon të jetë i frikësuar për shkak të situatës në Kosovë dhe Serbi.

A mendoni se mund ta shtyni përpara dialogun me Kurtin si kryeministër?
“Ne do të punojmë me çdonjërin. Nuk jam i interesuar të involvohem në çështje politike. Në një farë mënyrë konfliktet politike kanë qenë problem për një farë kohe.

Çfarë jam unë i interesuar dhe ajo për çfarë presidenti Trump është i interesuar është si të gjejmë zgjidhje për të çuar përpara zhvillimin ekonomik. Ne kemi tentuar që zyrtarët e qeverisë të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Si mund t’iu japësh njerëzve të rinj punë dhe shpresë.

Çfarë kam dëgjuar nga biznesmenët amerikanë dhe biznesmenët evropian në rajon, është se ata dëshirojnë të vijnë këtu, por ata mendojnë se është një konflikt. Pra edhe nëse është konflikt ose jo, kjo i tremb njerëzit dhe ne duhet ta tejkalojmë këtë. Çfarë po përpiqem të bëjë, është që t’i bind industritë dhe bizneset të vijnë këtu .

Nuk jam i shqetësuar për konfliktet politike. Realiteti është që qeveritë evropiane kanë këto diskutime të ashpra rreth krijimit të qeverive. Shikoni Britaninë e Madhe, shikoni Gjermaninë. Ata kanë demokraci të avancuara që kanë pasur diskutime të tilla. Unë nuk jam i shqetësuar për një gjë të tillë, nuk mendoj që njerëzit duhet të shqetësohen për një gjë të tillë.

Mendoj që njerëzit dhe politikanët duhet të shqetësohen për krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik. Njerëzit e rinj duan punë dhe jo konflikte politike”, ka thënë Grenell.

Përfaqësuesi Special ka folur edhe rreth marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rreth asaj nëse dy palët do të duhet të bëjnë ndonjë kompromis të madh.

Ai ka thënë se kompromisi natyrisht që është i nevojshëm, ndërkohë ka shtuar se nuk është vendosur në mes të diskutimeve Kosovë-Serbi me ndonjë ide specifike. Emisari i Trump ka thënë se në vazhdimësi do të bëjë përpjekje për t’i bërë palët bashkë për të mos shikuar nga e kaluara por nga e ardhmja.

Çfarë rreth marrëveshjes finale, a do të duhet ndonjë kompromis i madh nga dy palët?
“Çdo kush duhet të bëjë kompromis. Ne nuk kemi ndonjë ide, ne vetëm kemi fuqinë për të bërë njerëzit bashkë. Nuk kam ardhur në tavolinë me ndonjë ide specifike se çfarë palët duhet të bëjnë.

Në mënyrë konstante do të shtyjë palët përpara, duke iu thënë ndaloni së shikuari prapa, le të shikojmë tek e ardhmja. Sa më shpejtë që ndalojmë së përplasuri, atëherë mund të kemi rritje të bizneseve, njerëzit e rinj do të qëndrojnë në rajon dhe do të ketë shpresë dhe do të ndërtojnë familjet e tyre këtu.

Kjo është çfarë dua të shoh. Dua të shoh që partnerët tonë në Kosovë dhe Serbi t’i lënë ndasitë politike me një anë dhe të rrisin ekonominë e tyre për njerëzit”, ka potencuar Grenell.

Tutje Grenell ka thënë se nuk ka kurrfarë afati kohor për arritjen e marrëveshje finale.
“Asnjëherë s’ka pasur një limit kohor”, ka thënë shkurtimisht ai.

Sa i përket arsyes kryesore të ardhjes në Kosovës, Grenell ka thënë se në Prishtinë ka zbarkuar pas negociatave të suksesshme të cilat rezultuan me zhbllokimin e hapësirës ajrore që tashmë do të mundësojë fluturimet Prishtinë-Beograd pas 21 vjetësh.

Përfaqësuesi Special për dialogun ka thënë se një gjë e tillë është kërkuar nga komunitetet e biznesit në Kosovë dhe Serbi, ndërkohë ka paralajmëruar takime me biznesmenë për të parë se cilat do të jenë propozimet e tyre të radhës në shërbim të zhvillimit ekonomik.

Cila është arsyeja kryesore e ardhjes tuaj në Kosovë?
“ Arsyeja kryesore e ardhjes sime në Kosovë është sepse kemi pasur negociata shumë të suksesshme për të pasur fluturimet e para pas 21 vjetësh. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse një ide e tillë ka ardhur na komuniteti i biznesit në Serbi dhe Kosovë.

Liderët e biznesit në Kosovë kanë kërkuar një gjë të tillë. Nuk e di nëse mediat kanë raportuar për një gjë të tillë, sepse kemi prirje të fokusohemi vetëm në përplasjet politike. Një ide e tillë ka ardhur nga dy komunitetet e biznesit. Dhe qëllimi i vizitës sime këtu, është që do të takohem me një numër të madh biznesesh këtu në Kosovë dhe në Serbi.

Dua të dëgjoj se cila është ideja e radhës, çfarë duhet të bëjmë tjetër për të lëvizur përpara. Çfarë mund të bëjmë tjetër për të sjellë termocentrale për të sjellë industrinë e madhe të radhës.

Unë besoj se nëse mundemi të krijojmë një atmosferë të mirë rreth zhvillimit ekonomik, atëherë njerëzit më pak do të shqetësoheshin më pak për përplasjet politike dhe kjo dërgon një mesazh të fuqishëm për politikanët që duhet të punojmë për krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik”, ka shtuar Richard Grenell.

I pyetur se çfarë mund të pritet pas marrëveshjes për fluturimet, emisari Special i Donald Trump, ka thënë se është duke i vazhduar përpjekjet./GazetaExpress/

Exit mobile version