Plani për evakuimin e civilëve dhe kryengritësve nga Alepoja është shtyrë të mërkurën dhe armëpushimi është prishur me rifillimin e luftimeve nëpër xhepat e fundit të kontrolluara nga kryengritësit.
Marrëveshja e së martës parashihte që evakuimet e para të fillonin në mëngjesin e hershëm të së mërkurës. Por, deri në mesditë u raportua për rifillim bombardimesh në Alepon Lindore ende të kontrolluar nga kryengritësit dhe Rusia akuzoi luftëtarët e opozitës për shkelje të armëpushimit duke sulmuar pozicionet e trupave qeveritare.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan akuzoi forcat qeveritare siriane për shkelje të armëpushimit, ndërsa theksoi se Turqia po vazhdon përpjekjet për të krijuar një korridor për të evakuar banorët nga Alepoja.
Hollësitë e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Rusisë janë ende të paqarta përfshirë është çështjen se ku do të shkojnë civilët dhe luftëtarët.
Plani, sipas ambasadorit rus në OKB, Vitaly Churkin, parasheh që luftëtarët opozitarë të shkojnë në Idlib, një qytet me 165 mijë banorë rreth 60 kilometra në jugperëndim të Alepos.
Churkin e përshkroi marrëveshjen si përmbyllje të një kapitulli shumë të vështirë për Alepon dhe tha se qeveria e tij shpreson që kjo do të çojë në “rihapjen e negociatave politike”.
Zëvendëskryeministri turk, Mehmet Simsek, shkroi në rrjetet sociale se vendi i tij është duke përgatitur një qytet tendash për mbi 80 mijë refugjatë që ikin nga Alepoja.
I dërguari i posaçëm i OKB-së, Staffan de Mistura, e përshkroi të martën gjendjen në Alepon Lindore si shumë “shqetësuese”.
Duke folur me gazetarët në New York, ai bëri thirrje për qasje të menjëhershme të OKB-së në Alepon Lindore për të konfirmuar marrëveshjen dhe për të mbikëqyrur evakuimin e civilëve.
Ai vlerësoi se mbi 50 mijë civilë kishin mbetur të martën vonë në xhepa të vegjël në Alepon Lindore bashkë me mbi 1 mijë e 500 luftëtarët kryengritës. Duke cituar burime të pakonfirmuara ai tha se mbi 30 për qind e luftëtarëve të mbetur janë xhihadistë të lidhur me Al-Qaidan dhe grupet e tjera ekstremiste.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u tha 15 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit se OKB-ja duhet të jetë e gatshme të ndihmojë zbatimin e marrëveshjes.
“U përkujtojmë të gjitha palëve detyrimet sipas ligjeve ndërkombëtare humanitare që të vënë në rend të parë daljen e sigurt të civilëve nga Alepoja Lindore dhe që të sigurohen se ata që janë dorëzuar apo kapur të trajtohen në mënyrë njerëzore në pajtim me ligjet ndërkombëtare”, tha Ban Ki-moon.
Në një takim emergjent të martën, të dërguarit perëndimorë kritikuan ashpër Rusinë për mbështetjen ushtarake për qeverinë e presidentit Bashar al-Assad dhe muajt e mizorive mbi banorët e Alepos.
“Vërtet nuk keni turp? Vërtet nuk ka asgjë që thjesht ju bën të ndjeheni me turp?”, pyeti ambasadorja amerikane, Samantha Power. “A nuk ka asnjë akt barbarie kundër civilëve, asnjë ekzekutim fëmije që mund t’ju rrëqethë sadopak? A ka gjë për të cilën nuk do të gënjeni dhe nuk do ta arsyetoni?”.
I dërguari britanik, Matthew Rycroft, u bëri jehonë fjalëve të sekretarit Ban Ki-moon, duke thënë se Këshilli i Sigurimit ka dështuar.
“Ka dështuar sepse Rusia e ka përdorur veton gjithnjë, madje edhe për të parandaluar një armëpushim shtatë ditësh”, ta Rycroft.
Ambasadori rus, Churkin, hodhi poshtë akuzat perëndimore për mizori në shkallë të gjerë duke i cilësuar ato si pjesë të “propagandës, dezinformimit dhe luftës psikologjike”.
Më herët në Gjenevë, zëdhënësi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Rupert Colville, i bëri thirrje Sirisë që të lejojë vëzhguesit e OKB-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq të kenë qasje të menjëhershme në Alepo.
“Civilët kanë paguar çmim brutal gjatë këtij konflikti dhe ne jemi të mbushur me parandjenja për ata që kanë mbetur ende në atë zonë skëterre të mbajtur nga opozita”, tha ai.
Ndarazi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, tërhoqi vërejtjen të martën se mijëra civilë kanë ngelur në Alepon Lindore “thjesht pa e ditur se ku të ikin” dhe u bëri thirrje palëve të përfshira që të mbrojnë civilët.