Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Gjykata e Apelit ditën e nesërme më 11 qershor, ora 10:00, do të shqyrtojë çështjen e vulës dhe siglës së Partisë Demokratike. Trupa gjykuese që do përcaktojë fatin e partisë më të madhe opozitare në vend, përbëhet nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro. Kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman nuk ka ndonjë dyshim se nga cila anë do të anojë fitorja. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Z. Seliman zbulon pse vula e PD i takon Bashës. Madje gazetari i politikës, Rigels Seliman thekson se nëse vula e Partisë Demorkatike përfundon në duart e Sali Berishës, atëhere sipas tij, kjo parti do të shpallet “non-grata”.
“Nuk ka asnjë dyshim që Lulzim Basha do ta fitojë. Nuk mendoj dhe madje as besoj që Gjykata që gjykata do t’ia japë vulën e PD Sali Berishës të shpallur ‘non-grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe, pasi kjo nuk do të ishte vetëm shkelje ligji, por edhe lajthitje profesionale. Kaq. Unë nuk jam juristi, por si njohës i politikës, mendoj se legjitimiteti i PD i përket Lulzim Bashës. Grupimit të Rithemelimit nuk i takon logo dhe vula e PD-së. Janë një grupim që u mblodhën në një stadium, që bënë sjellje bolshevike dhe kërkojnë kaos për interesat e tyre. Mos harroni që Rithemelimi, janë po ata që sulmuan selinë blu, dhunuan demokratët, uzurpuan zyrat e PD-së në atë 8 janar të 2022, që do të mbetet njollë në historinë e Shqipërisë.
P.S.
Se harrova dhe për kujtesë, i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar është shprehur se një person i shpallur ‘non-grata’ për korrupsion, sikundër është Sali Berisha, nuk mund të jetë fytyra e PD… Kjo do të thotë, se nëse PD bie në duart e Berishës dhe enturazhit të saj, ajo nuk do të ketë të ardhme dhe janë demokratët ata që do të humbasin, askush tjetër”, shkruan kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman.