Rigels Seliman: Rezoluta anti-korrupsion e Edi Ramës, “Letër Bakalli” dhe presion i hapur mbi drejtësinë

Kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman, e cilëson rezolutën anti-korrupsion të Edi Ramës, si “Letër Bakalli” dhe presion të hapur mbi drejtësinë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, gazetar i politikës, Z. Seliman shprehet se në një vend si Shqipëria, ku lufta kundër korrupsionit është një sfidë e vazhdueshme dhe thelbësore për zhvillimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë, institucionet e drejtësisë sipas tij, duhen inkurajuar e mbështetur, pasi presioni mbi to, na kthen pas në kohë.

Ja postimi i plotë i Z. Rigels Seliman:

Në kohët e sotme, në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera, lufta kundër korrupsionit është një sfidë e vazhdueshme dhe thelbësore për zhvillimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë. Megjithatë, për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm, institucionet e drejtësisë duhet të funksionojnë pa presione apo ndikime të jashtme politike.

Në këtë kontekst, Komisioni i Posaçëm Anti-Korrupsion i propozuar nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, sjell një shqetësim serioz për integritetin dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Në një vend si Shqipëria ku korrupsioni është një problem i madh, lufta kundër tij nuk mund të bëhet me rezoluta dhe nuk mund të jetë efektive nëse organet qeverisëse janë të ndikuar nga politika ose interesat personale. Kësi rezolutash janë ‘Letra Bakalli’ dhe presion i hapur ndaj drejtësisë së re (SPAK, GJKKO dhe BKH).

Ndërhyrjet politike apo presionet e paligjshëm mbi drejtësinë, janë një shqetësim i madh për demokracinë dhe sundimin e ligjit në vend.

Në vend që të shfaqë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit, iniciativa e PS për të ndërhyrë në drejtësi, rrezikon të minojnë besueshmërinë e institucioneve dhe të dëmtojnë thellësisht qeverisjen e së drejtës. Kjo nuk është vetëm një çështje për qeverinë aktuale, por një sfidë për të gjithë aktorët politikë dhe shoqërinë civile për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë.

Kështu që për të garantuar një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, është e rëndësishme që presioni politik të mos tolerohet dhe që drejtësia të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Kjo është një detyrë e rëndësishme për të gjithë ne si qytetarë dhe për institucionet qeverisëse për të siguruar një përparim të vazhdueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit”, shkruan kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman.

Exit mobile version