Juventusi rigjen buzëqeshjen në Serinë A ku u rikthye te fitorja pas goditjes së marrë në “San Siro” nga Milani. Kampionët në fuqi nuk hasën asnjë vështirësi në sfidën e javës së 10 kundër Sampdorias me një fitore 4-1 të ndërtuar që në minutat e para. Ishin Mandzukiç dhe Chiellini ata që e futën këtë sfidë në rrugën e duhur për të besuarit e Alegrit. Sulmuesi kroat dhe mbrojtësi italian shënuan dy gola brenda 9 minutave të para, ndërsa në të 57-ën, Patrik Schick, riktheu në lojë Sampdorian. Për golin e tretë, mendoi Miralem Pjanic 8 minuta më pas. Juventus e mbylli festivalin e golave me një tjetër realizim të Chiellinit në minutën e 87.
Një sukses që e mban Zonjën e Vjetër në vendin e parë të klasifikimit me 2 pikë më shumë se Roma, që arriti një sukses të rëndësishëm në fushën e Sasuolos. Canavaro kaloi skuadrën emiljane në avantazh, por gjatë pjesës së dytë, verdhekuqtë e gjetën rrugën e rrjetës tre herë. Dzeko realizoi dy golat që i siguruan avantazhin ekipit kryeqytetas, ndërsa Nainggolan shënjestroi portën për herë të tretë. Sukses i rëndësishëm edhe për Napolin, që kaloi 2-0 Empolin. Belgu Mertens sigloi rrjetën e parë të takimit në minutën e 51, ndërsa Vlad Chiriches dyfishoi 9 minuta nga fundi. Napoli mbetet në vendin e tretë të klasifikimit me 20 pikë. Në “San Siro”, Interi arriti të rikthente qetësinë pas tre humbjeve rresht, pasi Torino u thye në fundin e ndeshjes nga ekipi i De Boer, që fitoi 2-1. Goli i Icardit në pjesën e parë u zhvlerësua përkohësisht nga rrjeta e Belottit në minutën e 63 të takimit, pasi ishte sërish argjentinasi që dyfishoi në të 88-ën.
Në derbin e shqiptarëve Pescara-Atalanta, ishin bergamaskët e Etrit Berishës, ata që triumfuan 1-0. Goli i Mattia Caldara i siguroi 3 pikë ekipit zikaltër. Në këtë përballje, Memushaj dhe Manaj u aktivizuan titullarë, por nuk arritën ta ndihmonin skuadrën e tyre të regjistronte fitoren e dytë sezonale. Në përballjet e tjera, Lazio shkatërroi 4-1 Cagliarin, ndërsa Chievo Verona barazoi 1-1 me Bolognan.
Pas këtyre takimeve, Juventus kryeson me 24 pikë dhe ndiqet nga Roma me 22 dhe Napoli me 20. Lacio i Strakoshës renditet i 5-ti me 18 pikë. Atalanta e Etrit Berishës në një formë të shkëlqyer tashmë, duke mos humbur në 5 ndeshjet e fundit dhe duke marrë njëkohësisht 4 fitore mban vendin e 6 me 16 pikë. Interi është ngjitur i 10-i me 14 pikë. Peskara e Manajt dhe Memushajt renditet e 17-a me 7 pikë, ndërsa Empoli i Veselit i parafundit me 6 pikë.