Rihapet La Liga

El Clasico e ka një fitues dhe ai është Lionel Mesi, që derdhi gjak në fushë për të mundur Realin e Madridit e për t’i dhënë Barcelonës një mundësi në La Liga, me dygolëshin e tij duke ngrirë të pranishmit në “Santiago Bernabeu”, që po bën llogaritë me një tjetër trofe të Primeras. Argjentinasi ishte realisht i jashtëzakonshëm, në përballjen më spektakolare të globit, ku konfirmoi se pavarësisht ulje-ngritjeve ai mbetet më i veçanti, aq sa dhe përgjakja në fushë duket sikur i shkon për shtat jo vetëm mbiemrit të tij, por dhe sakrificave që ai bën në fushë për Barcelonën. Sfida e “Bernabeut” këtë herë në fakt pati protagonistë lojtarët më të diskutuar të momentit te të dyja skuadrat, aq sa si zakonisht nuk munguan dhe kartonat e kuq apo polemikat, si në rastin e golit të Casemiros, që tregoi se këtë javë ka qenë i preferuari i “gjyqtarëve”.
Megjithatë festimet e Realit i ndërpreu Mesi, që shënoi një prej golave më të bukur në historinë e El Clasicos në minutën e 33-të duke e çarë Realin mu në qendër të mbrojtjes.
Në pjesën e dytë kishte pak lavdi dhe për Keylor Navas që në dy momente, në të 59-tën dhe 68-tën ruajti baraspeshën e rezultatit, përpara se Rakitiç ta ndëshkonte në të 73-tën. Reali me 10 vetë që pas daljes me të kuq të Ramosit megjithatë arriti të gjejë forcën për të barazuar, me James Rodriguezin, që ndoshta me këtë gol mendoi se i dha fund dhe “konfliktit” të tij me Zidanin, por nuk kishte bërë llogaritë me Mesin, që në minutën e fundit meritoi dhe një herë tjetër epitetin e Zotit të Futbollit duke i dhënë fitoren Barcelonën, në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit të La Ligas.
Braziliani Nejmar e ka ndjekur si tifoz i thjeshtë El Clasicon që u luajt mbrëmjes e së dielës pasi ishte i dënuar nga komisionet disiplinore të Federatës spanjolle. Por braziliani kishte kthyer shtëpinë e tij në një stadium të mirëfilltë, pasi kishte mbledhur aty shumë miq për të parë së bashku këtë ndeshje të rëndësishme si për prestigjin, ashtu edhe për luftën e titullit kampion.
Sigurisht që pas golit të Mesit ka shpërthyer festa edhe aty, me brazilianin që nuk ka ngurruar të publikojë në rrjetet sociale pamje ku ai dhe miqtë e tij festonin si të ishin ultras.

Artikulli paraprakIbra: Nuk tërhiqem, e vendos unë kohën
Artikulli tjetërPioli paraqiti dorëheqjen pas ndeshjes