Rikthimi i reshjeve të borës ka sjellë edhe problemet e para në Verilindje të vendit. Disa zona janë bllokuar sërish, e disa të tjera nuk lëvizet për shkak të akullit e ngricave. Situata problematike paraqitet në Shkodër, Kukës, Dibër, Mirditë, Elbasan dhe Korçë, ku shumica e rrugëve janë të bllokuara nga bora e ngricat, ndërsa në disa akse duhet të përdoren zinxhirët. Fshati Arrën në Kukës vijon të jetë i bllokuar prej më shumë se dhjetë ditësh. Aksi rrugor rural Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar. Ndërsa në Juglindje aksi rrugor Korçë-Boboshticë-Dardhë dhe ai Korçë-Ersekë janë të bllokuar.
Fshati Lajthizë në Njësinë Administrative të Oroshit në Mirditë është izoluar prej dy javësh nga bora, niveli i të cilës arrin deri në 50 cm. Krahas bllokimit të rrugës në këtë zonë mungon dhe energjia elektrike. Banorët thonë se kjo situatë i kanë vënë në vështirësi të shumta, pasi ju kanë përfunduar ushqimet si për njerëzit ashtu dhe për bagëtitë, të cilat rrezikojnë ngordhjen.
Ata i apelojnë Bashkisë dhe Emergjencave Civile që të ndërhyjnë në mënyre urgjente për t’ju ardhur në ndihmë me ushqime dhe hapjen e rrugës. Shqetësimin e banorëve e ka përcjellë dhe deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda, e cila apelon për ndërhyrje, pasi sipas saj banorët e Mirditës janë lënë në mëshirë të fatit gjatë gjithë këtyre ditëve.
Reshjet e borës janë rikthyer edhe në Vlorë. Pasditen e djeshme janë krijuar probleme të shumta për shkak të dëborës edhe në Qafën e Llogarasë. Sipas raportimeve, bora arrin deri në 50 cm në këtë zonë, ndërsa mungon firma e pastrimit.
Për shkak të trashësisë së borës janë krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe radhë të gjata. Shoferët shprehen shumë të shqetësuar dhe kërkojnë ndërhyrje për normalizimin e situatës.
Borë, rrufe dhe erëra të forta në të gjithë vendin
Rikthehen reshjet e dëborës në të gjithë vendin. Më të ndjeshme reshjet e borës do të jenë në Jug dhe Juglindje të vendit, por specialistët e Institutit të Gjeo-shkencave thonë se shqetësimi më i madh është era e fortë me shpejtësi deri në 50 km/orë.
“Shqetësim mund të përmendim erën, e cila në fakt gjatë ditës së sotme dhe gjatë ditës së nesërme, pritet që të fryjë me shpejtësi të lartë në pjesën bregdetare dhe terrenet e larta malore, ku shpejtësia mund t’i kapërcejë për momente të shkurta edhe 50 km/orë”, thotë Metodi Marku nga Instituti i Gjeo-shkencave.
Marku rekomandon të ketë lëvizje të kufizuar të qytetarëve në zonat bregdetare të Jonit, pasi do të ketë erëra, shi dhe shkarkesa elektrike.
“Në këto zona pritet që në lartësitë mbi 500 metra, reshjet të jenë në formë dëbore dhe mund të arrijnë në lartësi të mëdha mbi nivelin e detit edhe në 30-40 cm dëborë e re krahasuar me shtresën e dëborës ekzistuese”, thotë ai.
Temperatura përgjatë kësaj jave do të ulen me disa gradë, luhatjet do të jenë të lehta, gjithsesi moti do të jetë i ftohtë dhe me erëra të fuqishme.