Mungesa e Jahmir Hykës dhe rikthimi në stërvitje i Amir Abarashit. Këto janë dy lajmet kryesore që vijnë nga qendra stërvitore e Kombëtares Shqiptare. Në kompleksin “Tropikal” kuqezinjtë zbritën në fushë gjatë orëve të pasdites për seancën e dytë stërvitore të ditës së martë dhe është pikërisht mesfushori i San Jose, Jahmir Hyka, ai që shqetëson më shumë trajnerin Gianni De Biasi. Lojtari është bllokuar në Aeroportin e Romës për shkak të grevës së punonjësve të kompanisë “Alitalia”, por Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë masat, që ai të bashkohet me grupin gjatë orëve të vona të mbrëmjes.
Në këtë mënyrë, Hyka do të zbresë në kompleksin stërvitor vetëm gjatë seancave të së mërkurës dhe ky fakt mund ta kushtëzojë duke e vënë në dyshim paraqitjen e tij si titullar në “Renzo Barbera” kundër Italisë. Një lajm i mirë për trajnerin kuqezi është rikthimi në grup i mesfushorit Amir Abrashi, i cili e siguroi De Biasin se është gati të vazhdojë seancat stërvitore pas pushimit të paradites që shërbeu si masë paraprake për një dëmtim të lehtë të tij. Gjithashtu, me skuadrën u bashkuan edhe Roshi e Balaj pas udhëtimit të gjatë nga Grozni me destinacion Tiranën. Pjesa tjetër e skuadrës zbriti rregullisht në fushën stërvitore, ku mediat ishin të pranishme vetëm gjatë minutave të para dhe më pas trajneri mbylli dyert për të përgatitur ndoshta sfidën më delikate të eliminatoreve të Botërorit 2018 që do të luhet të enjten në mbrëmje në Palermo.
Taulant Xhaka është një tjetër futbollist që ka shkuar një ditë më herët në grumbullimin e kombëtares, për ndeshjen ndaj Italisë. Mesfushori luajti dje ndeshjen me klubin e tij Bazel, dhe sot u vu në dispozicion të stafit teknik të kuq e zinjve. Xhaka shprehet se është në formë të mirë dhe premton se Shqipëria nuk do të presë në mbrojtje. “Duhet të luajmë siç kemi luajtur deri më tani. Nuk duhet ta presim Italinë, por ta sulmojmë ne të parët. Jam gati të sakrifikoj kudo për të luajtur”, u shpreh Xhaka.
Azdren Llullaku është një nga futbollistët e grumbulluar nga trajneri Gianni De Biasi, për ndeshjen e 24 marsit, ndaj Italisë në Palermo. Llullaku, i cili që prej janarit luan për Astanën në Kazakistan, para dy ditësh shënoi golin e parë për ekipin e ri. Llullaku ka qenë ndër të parët që ka mbërritur në grumbullim dhe është shprehur i gatshëm për të përballuar 90-minutëshin ndaj Italisë. “Na pret një ndeshje shumë e vështirë, por mendoj se jemi të gatshëm dhe të motivuar. Kemi nevojë për pikë dhe do të ikim në Itali me këtë mendim në kokë. Edhe në mbrojtje të luaj, nuk ka problem. Shpresoj vetëm që të luaj”, deklaron Llullaku.