Rikthehet Modeli i Bankave Italo-Shqiptare. A po përgatit qeveria Bankën Patronazhiste për zgjedhjet e më tej?

Nga Vna.al

Kryeministri Edi Rama ka shpallur publikisht krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit që do të krijohet në bashkëpunim me një institucion financiar italian dhe do të ketë në drejtim një skuadër italo-shqiptare. Nuk ka më shumë detaje në njoftimin më të fundit publik, përveç cilësimit të bankës së re nga kryeministri si motor zhvillimi që do të ketë qeverisje të pavarur dhe profesionale.

Që në shtator 2024, VNA informoi publikun mbi projektin e qeverisë shqiptare për të krijuar një bankë zhvillimi (artikulli këtu https://vna.al/nje-banke-qeveritare/). Artikulli shprehte një sërë çështjesh të paqarta që krijonte ky projekt, të cilat mbeten ende të tilla, deri sa qeveria të vendosë të japë publikisht më shumë informacion.

Shqipëria ka patur për vite një bankë italo-shqiptare të krijuar me ligj të veçantë nga parlamenti shqiptar, e cila në fund u bashkua me ish-Bankën Shqiptaro-Amerikane, pasi më parë ishte shndërruar në një bankë problematike, veçanërisht në cilësinë e keqe të portofolit të kredive.

Gjithsesi, të tjera diskutime ngrihen mbi projektin për bankën e re italo-shqiptare të Ramës:

1-A ka tregu bankar në Shqipëri hapësirë për të shtuar numrin e bankave, gjithmonë nëse kjo bankë do të veprojë në kushte të njëjta loje si edhe bankat e tjera?

2-Sa e distancuar do të jetë nga qeveria dhe politika shtetërore, apo de facto do të jetë një tjetër sipërmarrje shtetërore që do të centralizojë edhe më shumë ekonominë në duart e partisë në pushtet?

3-Përse i nevojitet kjo bankë Edi Ramës dhe qeverisë së tij, kur tregu bankar ka një numër të konsiderueshëm bankash dhe institucionesh financiare?

4- A do të ketë guxim Banka e Shqipërisë të shqyrtojë rigorozisht kërkesën për licencë të kësaj banke, sikur të ishte një projekt i pavarur nga qeveria?

5- Ziraat Bank, një tjetër bankë turke, ka shprehur interesin të hyjë në tregun bankar shqiptar. Këtu mbetet të shohim përsëri se si do të trajtohen nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë interesat e këtyre dy bankave për të hyrë në tregun shqiptar.

Sido që të paketohet apo zbukurohet ky projekt, në të vërtetë mbetet një masë për të forcuar gllabërimin dhe kontrollin e Ramës e të qeverisë së tij mbi ekonominë dhe financat, në dëm të mekanizmave të tregut të lirë. Me shumë gjasa tani edhe sektori bankar do të ketë bankë patronazhiste.

Artikulli paraprak“Pandemia e heshtur” që po shkatërron jetët e miliona njerëzve! Çfarë i ndodh trupit nëse nuk e trajtoni
Artikulli tjetërMbi domosdoshmërinë për të lexuar “Sakralizimin e Politikës në Shqipërinë Komuniste”