Rikthehet Morati!

Zërat për rikthimin e Masimo Moratit në krye të Interit po bëhen gjithnjë më të besueshëm. Pavarësisht faktit se ish-presidenti zikaltër ka thënë se nuk i intereson të marrë drejtimin e skuadrës, “Il Giornale” shkruan se Morati është duke kërkuar ortakë për të blerë afro 30% të aksioneve nga Erik Tohir.
Aktualisht, Morati zotëron 25% të aksioneve dhe në rast se do të ndihmohet nga miqtë e tij në Kuvajt, mund t’i çojë në 55% aksionet e tij në shoqërinë zikaltër. Kjo do të thotë se, Morati mund të marrë shumicën e aksioneve dhe atëherë do të ishte sërish president i skuadrës zikaltër.
Këto ndryshime do të bëheshin në kupolën drejtuese, por sigurisht që do të ndiheshin edhe në ekip. Roberto Mançini vazhdon të jetë alternativa e parë edhe për Moratin, por, në rast se trajneri vendos të largohet atëherë Masimo ka ndërmend t’ia besojë skuadrën e tij Simeones. Vetë argjentinasi e tha disa ditë më parë se, një ditë e sheh veten si trajner të zikaltërve.
Ndryshime do të kishte edhe në sulm, ku Mauro Ikardi duket se do të largohet dhe vendin e tij mund ta zërë suedezi Ibrahimoviç. Ai ka kaluar vite të arta me fanellën e Interit dhe sigurisht që mund të pranonte të jetonte edhe për disa vite të tjera në Milano.
Në mesfushë, Masimo Morati pëlqen Banegën dhe gjatë gjithë kësaj kohe e ka sponsorizuar transferimin e argjentinasit në Milano. Në rast të një largimi të mundshëm të portierit Samir Handanoviç, Morati dhe drejtuesit zikaltër janë duke mbajtur nën vëzhgim situatën për Matia Perin, po dëmtimi i tij duket se i ka trembur interistët.
Ndërkohë, Interi nuk do ta shesë Rey Manajn. Goli i mrekullueshëm i realizuar ndaj skuadrës së Juventusit në finalen e kthimit të Kupës së Italisë për të rinjtë, tregoi edhe një herë potencialin që ka djaloshi shqiptar për t’u bërë protagonist edhe në skuadrën e parë. 19-vjeçari i ka bindur të gjithë tek Interi, pasi po zhvillon një sezon në ngjitje edhe pse hapësirat në skuadrën e parë kanë qenë të pakta. Roberto Mançini e vlerëson shumë ndaj dhe vendosi menjëherë ta stërviste përkrah emrave të mëdhenj zikaltër që të fitonte sa më shumë eksperiencë. Rritja e tij progresive dhe goli i fundit i shënuar ndaj bashkëmoshatarëve të tij juventinë bëjnë që e ardhmja e tij të jetë në Milano, pasi konsiderohet pasardhësi i Mauro Icardit.
Askush nuk guxon ta përmendë si opsion shitjen e tij, por nuk përjashtohet mundësia që të jepet në formë huazimi ndoshta jashtë Italisë që të ketë më shumë minuta në këmbë. Këtë e kanë kuptuar edhe përfaqësuesit e Manchester City-t, që kanë dërguar një scout për ta vëzhguar nga afër lojtarin. Duke parë vendosmërinë e Interit për të mos e lëshuar talentin shqiptar, Citizens nuk harxhuan kohë për të formuluar një ofertë konkrete. Për Manajn janë interesuar klube të tjera të mëdha të Europës, por djaloshi kuqezi ka ende shumë rrugë për të bërë dhe Interi nuk dëshiron të nxitohet me një talent që të ardhmen e ka të sigurtë në “Apiano Gentile”.

Exit mobile version