Xherdan Shaqiri është shprehur i lumtur që është rikthyer në fushë me kohë – pas një lëndimi shqetësues që ia pamundësoi paraqitjet në ndeshjet parasezonale këtë muaj – dhe do të jetë i gatshëm për t’i ndihmuar Liverpoolit ta nisë sezonin e ri suksesshëm.
Anësori shqiptar Shaqiri u lëndua gjatë ndeshjes së Zvicrës kundër Anglisë më 9 korrik, në Ligën e Kombeve, dëmtim që e mbajti atë jashtë fushës gati një muaj.
Ai iu nënshtrua disa teste mjekësore me stafin mjekësor të Liverpoolit të nesërmen pasi ishte kthyer në klubit anglez. Trajneri Jurgen Klopp e kishte konfirmuar lëndimin e tij, duke treguar se ai do t’i humbiste gati të gjitha ndeshjet përgatitore të korrikut.
Ashtu edhe ndodhi, pasi 27-vjeçari nuk u paraqit për Liverpoolin deri në ndeshjen e fundit miqësorë të të kuqve kundër Lyon të mërkurën.
Pas kësaj ndeshjeje, Shaqiri zgjodhi Instagramin për ta shprehur lumturinë me rikthimin në fushën e lojës. “Jam i lumtur që u riktheva në fushë”, shkroi ai.
Liverpool rigjen formën
Liverpooli e mbylli fazën përgatitore parasezonale me një fitore të lehtë 3:1 kundër Lyonit në Gjenevë, në një takim miqësor në të cilën Xherdan Shaqiri bashkë me Roberto Firmino, Mohamed Salah dhe Alisson Becker u rikthyen.
Pas plot katër ndeshjeve pa fitore në miqësoret parasezonale, kalimi në Alpe të Zvicrës dhe rikthimi i lojtarëve kryesorë bëri që skuadra e Jurgen Klopp të bëjë një paraqitje sic dinë ta bëjnë të kuqtë.
Anësori i Zvicrës me prejardhje shqiptare, Shaqiri u paraqit gjysmë ore në këtë takim, i pari për të në fushatën parasezonale pas lëndimit që e kishte pësuar mu në fillim të nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri.
Por, Shaqiri është kthyer në kohë për skuadrën e Jurgen Kloppit, e cila pas dy javësh e nis sezonin e ri 2019/20 në Premierligë.
Edhe pse Lyon befasoi duke kaluar në epërsi përmes Memphis Deplay në minutën e 4-të të takimit, i cili shënoi nga penalltia, Liverpooli u këndell shpejt dhe fitoi lehtësisht.
Firmino shënoi për 1:1 në minutën e 17-të, para se Andersen të shënonte në portën e vet katër minuta më vonë për epërsinë në të kuqve.
Talenti Harry Wilson bëri golin e ndeshjes në minutën e 53-të, kur shënoi nga largësia për të dyfishuar epërsinë.
Të dielën, Liverpooli do të luajë kundër Manchester City në Community Shield, ndeshjen e parë garuese këtë sezon.