Rikthimi i shtresës së mesme, e cila në këto katër vite të qeverisjes Rama pësoi një goditje të rëndë, duke u asgjësuar ishte premtimi i Lulzim Bashës dje në takimin me banorët e Njësisë Bashkiake nr. 5 në Tiranë. Duke folur për programin ambicioz të PD, Basha tha se, një nga shtyllat kryesore të programit është pikërisht mbështetja e shtresës së mesme. Ai foli gjithashtu për vendosjen e taksës së sheshtë 9%. Basha bëri të ditur gjithashtu, se një nga masat që do të ndërmerren menjëherë do të jetë shfuqizimi i taksës për transferimin e pronave, një taksë abuzive kjo që jo vetëm rrjep qytetarët, por njëkohësisht edhe shërben si përgjues ndaj veprimeve të tyre me pronat. “Ekonomia sot është në ditët më të zeza, pagat e ulëta, çmimet e larta, shëndetësia në kolaps total, këto janë prioriteti numër një i Republikës së Re dhe i imi si kryeministër i vendit pas 25 qershorit. Nuk ka asnjë prioritet tjetër më të rëndësishëm se ekonomia. Ditën tonë të parë në zyrë do e nisë zbatimi i planit tonë ekonomik, hapi i parë do jetë ulja e TVSH dhe taksa 9%. Çlirimi i vërtetë ekonomik që do të gjenerojë vetëm përmes uljes së TVSH 400 milionë euro. Kjo është taksa e fshehtë, dhe çfarë bëjnë këta me këto 400 milionë, palma e fasada. Shtresat e mesme, profesionistët mjekët, inxhinierët, që rëndohen nga tatimi progresiv do të kenë gjithashtu taksën e sheshtë 9%, 32 mijë lekët e para do të jenë të patatuara dhe tatimi për gjithë pjesën tjetër do jetë 9%. E njëjta gjë edhe për tatimin mbi dividentin, do të zerohet jo, sepse e bëjmë këtë për të mbështetur kapitalistët. por për të mbësjtetur sipërmarrjen që këto para t’i investiojnë dhe t’i riinvestojnë. Taksa e transferimit të pronës do të anullohet, do kemi një tarifë fikse prej 30 mijë lekësh të reja. Shteti makut që përgjon kush shiti shtëpinë, kush apartamentin, apo tokën vetëm për t’i marrë taksën dhe për të abuzuar me të. Xhirimi i vlerave ekonomike që vjen përmes transferimit të pronës nuk do të tatohet përmes vetëm kësaj tarife të vogël, që do t’i japë frymëmarrje ekonomisë”, bëri të ditur Basha. “Republikë e Re ishte ëndrra dhe premtimi që lindi nga ky bashkim i paprecedent i shqiptarëve që nga rënia e diktaturës. Sot, Republika e Re është një realitet që do të fillojë të funksionojë me votën e shqiptarëve më 25 qershor. Deri dje, i kishin shpallur sot po turren kush e kush ta fusë kokën në çadrën e lirisë. Edi Rama shpalli kryengritjen kundër Republikës së Vjetër dhe ka dalë në fushatë me dy gishta. Por në fakt, Republika e Vjetër po vazhdon edhe disa, zakonin e saj. Po mundohet ta kthejë në cirk këtë fushatë, kanë dhjetë ditë që flasin me batuta, fotomontazhe, me tuta, me poturre. Dua t’i them çdo shqiptari, ajkës së Tiranës dhe çdo qytetari në skajin më të lartë të vendit, mos u merrni me poturet e Ramës, pyeteni ku i ka 300 mijë vendet e punës që premtoi, taksat e ulëta ku i ka, pensionin e 13, ku i ka shëndetësinë falas, ku i ka subvencionet për fermerët shqiptarë, pyeteni për këto dhe po ta pyesni për këto, ju siguroj që ai nuk do përgjigjet. Dora e shtetit u zhyt thellë në xhepat tuaj në këto katër vite. 1.5 miliardë euro vetëm nga taksat e rritura, mori ç’bëri me këto lekë? Ai vendosi të mos mbante asnjë premtim, sepse kishte të tjera prioritete. Sepse Shqipëria për të nuk janë njerëzit, nuk janë as hallet, as problemet tuaja të përditshme, Shqipëria për të është një skenë e madhe, ku ka vënë në shfaqje veten e tij. Shqipëria për të janë pikturat, qypat me baltë, ekspozitat, ndeshjet e futbollit. Shqipëria për të është një grusht oligarkësh. Më 25 qershor, numri 6 PD, që është bashkimi i gjithë forcave opozitare nuk është thjesht dhe vetëm një konkurent politik është shumë më shumë se kaq, është dera që i mbyllet njëherë e mirë republikës së politikanëve është porta që i hapet republikës së njerëzve të thejshtë të këtij vendi”, u shpreh Basha. Kreu i opozitës, Lulzim Basha gjatë takimit elektoral me banorët e Njësisë nr.5 në kryeqytet sulmoi qeverinë PS-LSI, duke theksuar se pas 25 qershorit, partitë klienteliste nuk do të jenë pjesë e Republikës së Re. Ndërsa, ju bëri thirrje demokratëve të larguar që të rikthehen në shtëpinë e lirisë dhe të braktisin partitë klienteliste. “Ëndrra më e madhe që po bashkë po i japim jetë do të jetë transforimimi më i madh i Shqipërisë që nga pluralizmi. Këtu nuk mund të ketë, e nuk do të ketë, kompromis me të keqen, kompromis me matrapazë, me shushunjat që ngjiten mbas axhendave ambicioze dhe i kthejnë ato në pluhur. E dini për kë e kam fjalën apo jo, dhe i kemi pasur dhe vetë në shpinë. Matrapazët nuk kanë vend, nuk do kenë as Pazar të vjetër, as Pazar të ri, as drekë peshku as drekë ngjalash në Republikën e Re. Ndaj ju bëj thirrje çdo qytetari dhe në veçanti atyre që janë skllavëruar me të padrejtë nga partitë klienteliste të Republikës së vjetër, ky është momenti t’i braktisin, t’ua hedhin në fytyrë teserat që i kanë përdorur si tollona, e të kthehen këtu në shtëpinë e lirisë, në këtë bashkim të jashtëzakonshëm të qytetarëve, ne i mirëpresim”, deklaroi Basha.
Rimëkëmbje ekonomike dhe vende të reja pune
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se me marrëveshjen e 18 majit vendoset një standard demokracie, që e lidh fatin e politikanit me atë të qytetarit. Në një takim me banorët e Farkës, Basha tha se, “Demokraci e vërtetë është kur qytetarët kanë në dorë politikanët, dhe jo e kundërta”. Sipas kryedemokratit, theksi do të vihet në luftën ndaj kanabisit dhe ndaj koncesioneve që rëndojnë xhepat e qytetarëve. “Rama nuk mbajti asnjë premtim. Thotë se, ekonomia është e mirë, sepse rrethohet nga ata të hashashit e të koncesioneve që kanë mbushur thasët me paratë e shqiptarëve. Me ata rri nga mëngjesi në darkë. Shqipëria dhe Tirana nuk janë ata. Ky s’do t’ia dijë, sepse e ka mendjen te timoni. Makinë s’ka, i ka mbetur vetëm timoni. 400 mln euro i ka kushtuar Rilindja urbane palmat. 400 mln euro është baraz me dyfishimin e gjithë pensioneve të shqiptarëve. Njerëzit nuk janë dele. Duhet të kenë punë, kujdes shëndetësor, shkolla, rrugë. Kur t’i kenë këto vijmë te palmat. Është gati të bëjë akrobacira, vetëm të mos merret me problemet dhe ato që ka premtuar. Më kollaj shitet hashashi në Shqipëri sesa një tufë sallate në Tiranë”, tha Basha. Sakaq, ai është ndalur tek programi i Partisë Demokratike, duke u shprehur se fokusi është punësimi dhe ekonomia. “Rama nuk flet, sepse bilanc nuk ka. Vende pune s’ka, 300 mijë shqiptarë i çoi në azil. Për mua, Shqipëria jeni ju. Prioriteti numër 1 është ekonomia juaj e familjeve tuaja, punësimi i të rinjve, mirëqenia e fshatit. Nuk do jem njeri i shfaqjeve dhe i teatrit. Do jem kryeministër i ekonomisë, i njerëzve të thjeshtë, i punësimit. Ulja e taksave dhe ulja e TVSH do çlirojnë miliona euro që sot zhduken. Do t’i japim ekonomisë injeksion kapitali, xhiro dhe vende pune. Një model që ka funksionuar në Europën Perëndimore dhe do funksionojë edhe këtu. Do ketë anulim të taksës Rama prej 240 lekë. Karburanti do jetë më i liri në Ballkan. Karburanti është gjaku i ekonomisë dhe unë do të luftoj natë e ditë për uljen e çmimit të energjisë. Parashikojmë kreditim të brendshëm, investime të huaja, që do t’i japin ekonomisë frymëmarrje. 100 mln euro subvencione për fermerët. Paketa e subvencioneve do të jetë më e madhja që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. Do zerohet kostoja e mekanikës. Do vendos tarifat doganore proporcionale me subvencionet që marrin fermerët e huaj. Djersa e fermerëve shqiptarë do peshojë po aq sa e europianëve. Tregtia e lirë në kurriz të fermerëve shqiptarë merr fund në 25 qershor. Rama ju thotë merrni kredi. Ne themi jo kredi, por mbështetje si e gjithë Europa. Të rinjtë shqiptarë që mbarojnë shkollën e lartë do të kenë në dispozicion 10 mije stazhe me 200 mijë lekë të vjetra në muaj si praktikë pune që t’i lidhim me tregun e punës. Kjo nuk do të jetë si lëmoshë sociale, por si masë ekonomike për punësimin e të rinjve”, u shpreh Basha.
Dashamir Shehi: Koha për një kontratë të madhe me shqiptarët
Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ftoi dje gjithë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë të nënshkruajnë kontratën e madhe me opozitën e bashkuar për të nisur rrugën e transformimit të Shqipërisë. “Sapo më shkruajti një mik dhe më tha zgjedhjet janë çështje serioze përtej batutave dhe sensit të humorit, unë dua të them se zgjedhjet janë vërtetë serioze. Kemi një kundërshtar përballë, të cilit i ka rënë morali politik deri në fund, duke bërë çdo gjë që është e mundur për të ndenjur në pushtet. Nëse këta burra që janë sot në pushtet, nëse mund t’u themi burra, do kishin qenë serioz me këtë popull, do ishin sjellë seriozisht me punën që kanë marrë përsipër për qeverisjen e Shqipërisë, të jeni të sigurtë që ne këtu sot mblidheshim kot. Por ne jemi këtu, sepse këta zotërinj na kanë dhënë një shans të madh, duke abuzuar përditë, duke gabuar përditë, duke ushtruar një arrogancë të paparë, këta e kanë tepëruar aq shumë sa duhet të ikin një ditë e më parë. Ne e kemi për detyrë, e gjithë opozita e bashkuar me PD në krye duam ta qeverisim Shqipërinë, t’iu propozojmë që të lidhim një kontratë të madhe për ta qeverisur vendin edhe më mirë nga sa e kemi qeverisur vet. Ne do të hyjmë në garë me veten, kjo është sfida jonë, dhe do ta fitojmë”, tha Shehi i pranishëm në hapjen e fushatës në Njësinë nr.5, në Tiranë.
Pampuri: Do jem zëri i çdo qytetari në Parlament
E dyta në listën demokrate për Qarkun e Tiranës, psikologia e njohur Orjola Pampuri, ftoi dje gjithë qytetarët e Njësisë Bashkiake nr. 5 në Tiranë të bëhen pjesë e projektit të Republikës së Re, projekt, i cili do të jetë mbështetja e fuqishme për çdo shqiptar dhe shqiptare jo vetëm në Tiranë, por në çdo cep të vendit. “Të gjithë së bashku po punojmë për një qëllim të vetëm, ajo është fitorja e 25 qershorit. Së bashku me struktruat, me të rinjtë dhe të rejat e Njësisë nr.5 kemi nisur një rrugëtim ku kemi ecur familje më familje, çdo biznes, pensionistë, studentë, të cilët përballen me tarifat të larta, biznese që përballen me taksa të larta, pensionistë, të cilët kanë punuar një jetë dhe sot jetojnë pa dinjitet për shkak të ekonomisë, kemi takuar persona, të cilët janë të pamundur ekonomikisht, por nuk marrin ndihmë ekonomike. Jemi nisur së bashku dhe do tia dalim më 25 qershor dhe në katër vite kam premtuar se do të jem prezent në Njësinë nr.5 për të qenë zëri i tyre dhe për të gjithnjë aty kur ata të kenë nevojë”, tha Pampuri.